Bota ka regjistruar më shumë se një milion raste me koronavirus në pesë ditët e fundit, duke e çuar totalin e infektimeve në më shumë se 15 milionë, gjersa rastet ditore po rriten vazhdimisht.
Javën që shkoi janë raportuar afro 227,000 raste ditore në botë.
Pasi që u deshën më shumë se tre muaj për të arritur në 1 milion raste në botë, rritja e shkallës së infektimeve ka bërë që tash brenda tri javëve, nga 10 milionë të arrihet në 15 milionë raste të konfirmuara, shkruan The Independent.
Numri i rasteve ditore u zvogëlua në muajin prill ngase kufizimet që u vendosen nëpër shumë shtete e ngadalësuan përhapjen.
Kina, Italia, Koreja Jugore dhe Spanja kanë përjetuar rënie të rasteve, sidoqoftë infektimet janë rritur në shtetet si Brazili, India, Rusia dhe SHBA-ja.
Në disa nga shtetet më të prekura, përfshirë SHBA-në, Indinë dhe Afrikën e Jugut, numri i rasteve ditore ende është në rritje e sipër, transmeton KOHA.
SHBA-ja ende ka numrin më të madh të infektimeve dhe përbën çerekun nga 15 milionë raste të infektimeve.
Vetëm India, Afrika e Jugut dhe SHBA-ja përbëjnë më shumë se gjysmën e rasteve ditore me koronavirus.
Disa studime kanë sugjeruar se pandemia është edhe më e shtrirë se sa që tregojnë numrat zyrtarë.
Hulumtuesit në Spanjë dhe SHBA kanë gjetur se rastet e konfirmuara janë vetëm një pjesë e vogël e numrit të vërtetë të infektimeve për shkak rasteve asimptomatike dhe mungesës së testimeve.
Nëse është kështu edhe për tërë botën, atëherë përafërsisht thuhet se tashmë numri i infektimeve mund të ketë kaluar 150 milionë.