Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një fije shprese në Miami

Disa ditë pas shembjes së ndërtesës, Hilda mbetet në mesin e më shumë se 150 personave të zhdukur në Surfside, në veri të Miamit, kurse pesë të tjerë kanë vdekur dhe autoritet e të afërmit e tyre druajnë se numri do të rritet

Kur Mike Noriega dëgjoi se një pjesë e ndërtesës ku jetonte gjyshja e tij ishte shembur, u nis nxitimthi me babanë e tij. Ata arritën duke gjetur beton dhe metal, që kishin mbetur nga ndërtesa 12-katëshe, pa asnjë shenjë të 92-vjeçares Hilda Noriega.

Por, në mesin e copëzave që fluturonin, ata shkelën mbi kujtime që dëshmonin se Hilda jetonte në katin e gjashtë në Champlain Towers South: një fotografi të vjetër të saj me bashkëshortin e ndjerë dhe djalin e saj të vogël e një kartolinë ditëlindjeje që miqtë ia kishin dërguar dy javë më parë, me akronimin “ESM”, që nga spanjishtja do të thotë “e dërguar me dorë”, e shkruar në zarfin e verdhë me një flutur të gravuar.

“Ishte mesazh në tërë këtë rrëmujë”, ka thënë Noriega. “Na thotë që të mos i humbim shpresat. Të kemi besim”.

Disa ditë pas shembjes së ndërtesës, Hilda mbetet në mesin e më shumë se 150 personave të zhdukur në Surfside, në veri të Miamit, kurse pesë të tjerë kanë vdekur dhe autoritetet e të afërmit e tyre druajnë se numri do të rritet.

Fati i gjyshes

Edhe "E dëgjoj djalin tim duke qarë nën rrënoja", rrëfimi i një të mbijetuare nga tërmeti në Venezuelë Botë 3 j. më parë "E dëgjoj djalin tim duke qarë nën rrënoja", rrëfimi i një të mbijetuare nga tërmeti në Venezuelë

Përderisa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të përdorin makineri të rënda dhe mjete elektrike për t’i pastruar rrënojat nga kulmi dhe poshtë, familja Noriega ka ende shpresë ajo se do të gjendet e gjallë.

“Disa mrekulli janë shumë të mëdha, kurse të tjerat janë të vogla”, ka thënë Mike, 36-vjeçar, personi i fundit që ka folur me Hildën, një ditë para fatkeqësisë.

Ata e kanë përshkruar Hildën si pensioniste shumë të pavarur dhe të gjallë – sipas fjalëve të Mike, “92-vjeçarja më e re që e njoh…”

Champlain Towers South ka qenë shtëpia e Hilda Noriegas për më shumë se 20 vjet. Por, pasi janë bërë gjashtë vjet që nga vdekja e bashkëshortit, ajo ishte përgatitur të largohej. Ndërtesa kishte dalë në shitje dhe ajo kishte planifikuar të zhvendosej te familja.

Asaj i kishte pëlqyer jeta afër detit dhe miqve, por “kur e humb bashkëshortin do ta kesh pranë familjen dhe ajo donte të kalonte më shumë kohë me familjen, nipat dhe mbesat”, ka thënë Sally Noriega, bashkëshortja e djalit të Hildës.

Sally ka thënë se Hilda është person i dashur dhe i ëmbël, që e ka ndërtuar jetën dhe ka krijuar një familje pasi është zhvendosur në SHBA nga Kuba më 1960.

“Ajo ishte një nga atë njerëzit që nga çasti kur e takonte dikë e donte menjëherë, por edhe ai person e donte atë menjëherë”, ka thënë Sally.

Carlos Noriega, djali i Hildës dhe shef policie në North Bay Village, ishte një prej njerëzve që u fut në rrënoja.

Kujtimet e shumta

Familja Noriega nuk di çfarë të bëjë me kujtimin e vlefshëm që e ka gjetur në mesin e kaosit, por Sally ka thënë: “Jemi familje që besojmë. Thjesht do ta lëmë aty”.

Kjo familje është në mesin e disa familjeve që po presin në ankth për ta marrë një lajm për fatin e më të dashurve të tyre. Pritja ka qenë e rëndë.

Image

Champlain Towers South ka qenë shtëpia e Hilda Noriegas për më shumë se 20 vjet. Por, pasi janë bërë gjashtë vjet që nga vdekja e bashkëshortit, ajo ishte përgatitur të largohej

Atmosfera brenda hollit të një hoteli, ku rreth 200 familjarë ishin informuar nga autoritet të shtunën, ishte e tensionuar.

Edhe Kur prindërit vrasin Botë 3 muaj më parë Kur prindërit vrasin

Familjet janë të zhgënjyera me ritmin e ngadaltë të kërkimeve dhe kanë kërkuar të lejohen të hyjnë vendin e ngjarjes dhe të ndihmojnë.

Numri i të vdekurve shkoi deri në pesë të shtunën, ndërsa ekipet e shpëtimit luftuan me zjarr dhe tym brenda rrënojave. Me një erë të keqe si squfuri, që sillej në ajër, ata përdorën gjithçka, nga qentë e stërvitur dhe pajisjet e hidrolokatorit, deri te kovat dhe dronët.

Image

Disa ditë pas shembjes së ndërtesës, Hilda mbetet në mesin e më shumë se 150 personave të zhdukur në Surfside, në veri të Miamit, kurse pesë të tjerë kanë vdekur dhe autoritet e të afërmit e tyre druajnë se numri do të rritet

“Prioriteti ynë kryesor vazhdon të jetë kërkim-shpëtimi dhe që të shpëtojmë jetë sa më shumë që mundemi”, ka thënë kryetarja e Miami-Dade, Daniella Levine Cava.

Kryetarja ka thënë se identifikimi i tre trupave e ka ulur numrin e të zhdukurve në 156 dhe ekipet kanë zbuluar edhe mbetje të paspecifikuar të njerëzve. Mbetjet po dërgohen për analizë mjekësore dhe autoritetet po i mbledhin mostrat e ADN-së nga anëtarët e familjeve për ta lehtësuar identifikimin.

Dënesa e familjeve

Image

Përderisa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të përdorin makineri të rënda dhe mjete elektrike për t’i pastruar rrënojat nga kulmi dhe poshtë, familja Noriega ka ende shpresë ajo se do të gjendet e gjallë

Në një video të postuar online shihet një zyrtar teksa i informon familjet. Kur ai thotë se kanë gjetur mbetje në mes të rrënojave, njerëzit fillojnë të dënesin.

Të shtunën, katër viktima janë identifikuar, Stacie Dawn Fang 54 vjeçe, Antonio Lozano 83vjeç, Gladys Lozano 79vjeç dhe Manuel LaFont 54 vjeç.

Ndërtesa Paramount Miami Worldcenter në Miami është ndriçuar me fjalët “Një botë, një lutje”. Organizatorët planifikojnë t’i ndriçojnë ndërtesat me këtë mesazh çdo natë për dy minuta, derisa të gjenden të gjitha viktimat nën rrënojat e kompleksit Champlain Towers South.

Gjithashtu të shtunën, kryetari i Surfside, Charles Burkett, ka thënë se një zyrtar ka bërë një analizë të shpejtë të ndërtesave Champlain Towers North dhe Champlain Towers East, por “nuk ka gjetur asgjë të pazakontë”.

Image

Njerëzit janë lutur të shtunën në një vigjilje të mbajtur për viktimat dhe familjet e Champlain Towers që u shemb gjatë javës së kaluar. Më shumë se 150 njerëz janë ende të zhdukur

Sipas një raporti inxhinierik më 2018, ndërtesa që ishte ndërtuar më 1981 kishte “dëmtime të mëdha strukturore” në një pllakë betoni nën kuvertën e pishinës, që kishte nevojë për riparim, pjesë e një serie dokumentesh të publikuara nga qyteti Surfside.

Dokumentacioni i mëtejshëm tregoi se kostoja e vlerësuar për riparime do ta arrinte shumën 9 milionë dollarë. Këtu përfshihen më shumë se 3.8 milionë dollarë për riparimin e garazheve, hyrjes e pishinës dhe gati 3.2 milionë dollarë për rregullime në fasadën e jashtme.

Edhe Mes rrënojave të shtëpisë së tij, një baba në Gazë kërkon eshtrat e familjarëve Botë 5 muaj më parë Mes rrënojave të shtëpisë së tij, një baba në Gazë kërkon eshtrat e familjarëve

Përderisa zyrtarët kanë thënë se ende nuk dihet arsyeja e shembjes së ndërtesës, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka thënë se kanë nevojë për një përgjigje përfundimtare pa humbur shumë kohë.

Përgatiti: Liridona Bytyçi