Botë

Nivel i lartë drogash në lumin anglez si pasojë e urinimit në vende publike gjatë një festivali

Urinimi në vend publike gjatë Festivalit Glastonbury bëri që droga ilegale të futen në një lumë që kalon nëpër zonën e famshme Somerset në jugperëndim të Anglisë, duke dëmtuar potencialisht kafshët e egra, sipas një studimi të ri.

Studiuesit në Universitetin Bangor në Uells zbuluan nivele të larta të kokainës dhe drogës “MDMA” (ekstazi) në lumin Whitelake, i cili kalon nëpër Fermën Worthy, ku festivali muzikor jashtëzakonisht i popullarizuar zakonisht mbahet me më shumë se 200,000 pjesëmarrës.

Studimi zbuloi se përqendrimet e ekstazisë u katërfishuan javën pas festivalit të 2019-s, ndërsa përqendrimet e kokainës arritën nivelet e treguara më parë se ndikonin në ciklin jetësor të ngjalave evropiane - të cilat janë të pranishme në lumë dhe janë në rrezik.

Christian Dunn, udhëheqës i studimit, i tha CNN-it se nivelet e drogave ilegale ishin "aq të larta sa të klasifikoheshin si të dëmshme për mjedisin", megjithëse shtoi se nivelet "bien shumë shpejt pasi Glastonbury përfundon".

Studiuesit thanë se rritja e niveleve të drogës kishte ardhur nga pjesëmarrësit e festivalit që urinonin në vende publike, duke bërë që kimikatet të hynin në lumë - gjë që ndodh veçanërisht shpejt në kushtet e motit të lagësht.

"Kjo ka nxjerrë në pah faktin se ndalimi i urinimit në publik është kaq i rëndësishëm", tha Dunn.