Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Nisin debatet në Parlamentin grek për marrëveshjen me Maqedoninë

Prej mëngjesit të së mërkurës janë dëgjuar tone të larta të ligjvënësve grekë, pasi kanë filluar në Parlamentin grek procedurat për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.

Pasi ka marrë miratimin e kryetarëve të komisioneve të Parlamentit, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes diskutohet nga deputetët e të gjitha partive në një klimë të polarizuar politike.

Marrëveshja pritet të votohet deri në datën 25 janar dhe situata që paraqitet në Parlament, ku partitë e vogla kanë filluar të shpërbëhen dhe shumë aleanca janë thyer, duket se prodhon 151 vota të shumicës së duhur për ratifikimin e saj, raporton Tch.

Përveç 145 deputetëve të SYRIZA-s, në favor të marrëveshjes janë deputetë të POTAMI-t, Grekëve të Pavarur (ANEL) si dhe deputetë të shkëputur tashmë nga partitë e tyre.

Bëhet fjalë për një moment historik, pasi për më shumë se 26 vjet Athina dhe Shkupi nuk kanë pasur thuajse aspak dialog për të zgjidhur çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë dhe kjo ka sjellë si rezultat izolimin e IRJM dhe pengesa në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së.

Ndërsa një pjesë e mirë e opinionit publik nuk është aspak dakord me këtë marrëveshje, qeveria Tsipras, që ka filluar një fushatë informimi për të mirat e saj, beson se është një model paqeje në rajon, shembull edhe për vendet e tjera.

Edhe Greqia, vendi i parë që ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO Botë Greqia, vendi i parë që ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

Megjithëse marrëveshja mund të aprovohet edhe me më pak se 151 vota, kryeministri grek kërkon që të paraqesë para grekëve, por edhe para opinionit ndërkombëtar, faktin që ratifikimi u krye me shumicën e duhur parlamentare.

Ndërkohë, Demokracia e Re që po përdor për politikën e saj opozitare pikërisht marrëveshjen, duke theksuar se kabineti Tsipras po shet historinë dhe emrin e Maqedonisë, thuhet se do të përdorë edhe “armën” e fundit që ka në dispozicion, një mocion mosbesimi për qeverinë.

Vetëm para disa ditësh, qeveria Tsipras kërkoi dhe fitoi votëbesimin e Parlamentit kur partia aleate Grekët e Pavarur ka deklaruar se shkëputet nga koalicioni udhëheqës, për shkak se ishte kundër Marrëveshjes së Prespës.