Mbretëria e Bashkuara ka zgjedhur sot lideren e re ekzekutive pasi 57 për qind e anëtarëve të Partisë Konservatore zgjodhën sekretaren aktuale të Punëve të Jashtme, Lizz Truss, kundrejt ish-kancelarit të Thesarit, Rishi Sunak, në garën për ta pasuar kryeministrin e dorëhequr, Boris Johnson. Nesër ajo do të marrë zyrtarisht drejtimin e shtetit ishullor pas takimit me Mbretëreshën Elizabeta e Dytë në Skoci.
Por kush është Liz Truss? Angazhimin politik e nisi si anëtare e rinisë liberaldemokrate, por që po kulmon si kryeministre konservatore.
E njohur si Lizz, 47-vjeçarja Mary Elizabeth Truss nuk është një konservatore konvencionale.
E lindur në Oksford në 1975, ajo e ka përshkruar babanë, profesor matematike dhe nënën infermiere si ,"mbështes të krahut të majtë".
Si një vajzë e re, nëna e saj mori pjesë në marshime të Fushata për Çarmatimin Bërthamor - një organizatë që kundërshtoi ashpër vendimin e Qeverisë Thatcher për të lejuar instalimin e kokave bërthamore amerikane në perëndim të Londrës.
Pasi u transferua në Paisley, në perëndim të Glasgow, kur ajo ishte katër vjeçe, familja pastaj u zhvendos përsëri në Leeds, ku shkoi në një shkollë të mesme shtetërore.
Ajo vazhdoi studimet për filozofi, politikë dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit, ku ishte aktive në politikën studentore - fillimisht për Liberaldemokratët, përpara se të kalonte te Konservatorët.
Pas diplomimit, ajo punoi si kontabiliste në kompaninë e naftës dhe gazit “Shell”, si dhe në kompaninë e telekomunikacionit Cable & Wireless. Ajo u martua me kolegun kontabilist Hugh O’Leary në vitin 2000. Ata kanë dy fëmijë.
Truss do të përballet me presion të madh pas inflacionit rekord që ka goditur Britaninë e Madhe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngritur në qiell çmimet e energjisë. Nuk përjashtohet edhe mundësia e reduktimeve të rrymës gjatë muajve të dimrit në Britani.