Botë

Ngritja e ekstremit të djathtë me gënjeshtrat për COVID-19

Hulumtuesit kanë zbuluar se grupet e krahut të djathtë në “Telegram” po punojnë së bashku. “Unite dhe Right” është ngritur ndjeshëm me abonime në këtë aplikacion. Ky kanal që prej fillimit të pandemisë ka tubuar 400 mijë shikime çdo ditë. Në majin e vitit 2020 kishte 5 mijë abonues, tani ka 50 mijë

Foto të ndryshme të postuara nëpër aplikacionet e mesazheve dhe atë në stilin bardhezi që duken si fotografi të personave të kërkuar.

“Hebrenjtë i kanë borxh COVID-it si krejt ata në Hollywood”, thuhej në tekstin që shoqëronte fotografinë. “Zgjohuni o njerëz”.

Postimi është veç një nga mijëra që supremacistët e racës së bardhë dhe ekstremistët e krahut të djathtë janë duke i përdorur për ta zgjeruar ndikimin dhe për të joshur përkrahës të rinj në platformën sociale “Telegram”, thuhet në një studim që ka hulumtuar gjysmë milioni komente në faqet e quajtura kanale në “Telegram”. Këto faqe janë kategorizuar si pjesë të ekstremit të djathtë që prej janarit të vitit 2020 deri në qershorin e vitit 2021.

Taktika ka qenë e suksesshme: Nëntë nga 10 postimet që kanë qenë cak të studimeve, kanë pasur përmbajtje keqinformuese rreth sigurisë së vaksinave ose për kompanitë farmaceutike që i prodhojnë ato. Një kanal në “Telegram” ka pasur rritje ekstreme të abonimeve pasi nisi teoritë konspirative për COVID-19.

“COVID-19 ka shërbyer si katalizator i radikalizmit”, thotë autori i studimit, Ciaran O’Connor. “Ua mundëson teoricienëve ose ekstremistëve që të krijojnë rrëfime, duke na bërë ne kundër tyre, të mirën kundër të keqes”.

Të tjera postime zbehnin seriozitetin e koronavirusit, ose përkrahnin teoritë konspirative rreth origjinës së pandemisë. Shumë postime përmbanin gjuhë të urrejtjes ndaj hebrenjve, aziatikes, grave ose grupeve të tjera. Postime të tilla janë hequr nga “Facebooku” dhe “Twitteri”, por në “Telegram” vlojnë.

Telegrami me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe ka përdorues të ndryshëm nga e gjithë bota, ama, është bërë lodër e preferuar për ekstremistët e djathtë, sepse platformës i mungon kontrolli si në “Facebook”, “Twitter” dhe rrjete të tjera sociale.

“Telegrami” ka deklaruar se mirëpret shprehjen e ideve, përfshirë edhe ato për të cilat nuk pajtohen krejt njerëzit. Në sqarim, aplikacioni ka thënë se monitorohet aktiviteti me qëllim që të fshihet përmbajtja e dhunshme.

O’Connor beson se njerëzit prapa këtyre postimeve tentojnë të shfrytëzojnë frikën dhe panikun nga COVID-19, për të tërhequr pas vetes përkrahës të rinj, të cilët do t’u shërbenin edhe pas pandemisë.

Në fakt, disa prej postimeve konspirative për COVID-19, janë një thirrje e hapur për anëtarësim. Për shembull, grupi “Proud Boys” nga Long Island në New York, shpërndau një link për sinagogën lokale dhe shkroi mesazhin për përkrahje. “Përqafoni atë për të cilën jeni thirrur”, thuhej në postimin e grupit të ekstremit të djathtë, të shoqëruar edhe me swastikan naziste.

Shpeshtimi i aksioneve

Hulumtuesit kanë zbuluar se grupet e krahut të djathtë në “Telegram” po punojnë së bashku. “Unite dhe Right” është ngritur ndjeshëm me abonime në këtë aplikacion. Ky kanal, që prej fillimit të pandemisë, ka tubuar 400 mijë shikime çdo ditë. Në majin e vitit 2020 kishte 5 mijë abonues, tani ka 50 mijë.

Të dhënat janë shumë shqetësuese për shkak të numrit të madh të incidenteve që tregojnë se disa ekstremistë nga retorika online kanë kaluar në aksione të vërteta.

Gavin Yamey, mjek dhe profesor i shëndetit publik në Universitetin Duke, ka shkruar për rritjen e kërcënimeve ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë. Ai ka thënë se ngacmimi është edhe më i keq për ato që janë gra, njerëz me ngjyrë, pakica fetare ose LGBTQ.

Yamey, i cili është hebre, ka marrë kërcënime dhe mesazhe antisemite, duke përfshirë një në “Twitter” që bën thirrje që familja e tij të “ekzekutohet”. Ai ka frikë se teoritë raciste të konspiracionit mund të vazhdojnë edhe pas lehtësimit të pandemisë.

“Unë shqetësohem se në njëfarë mënyre xhindi ka dalë jashtë shishes”, ka thënë Yamey.

Pandemia dhe trazirat që ajo ka shkaktuar janë lidhur me një valë ngacmimesh dhe sulmesh ndaj aziatiko-amerikanëve. Në Itali, një kundërshtar i ekstremit të djathtë të mandateve të vaksinave u tërbua përmes një selie sindikatash dhe një spitali. Në gusht në Hawaii, disa nga ata që ngacmuan guvernatorin hebre të atij shteti në shtëpinë e tij gjatë një proteste kundër vaksinave, tundën fletushka me foton e tij dhe fjalën “Hebre”.

Diku tjetër, njerëzit kanë vdekur pasi morën kura të rreme, farmacistët kanë shkatërruar shishet e vaksinave dhe të tjerë kanë dëmtuar kullat e telekomunikacionit 5G, që nga fillimi i pandemisë gati dy vjet më parë.

Ngjarje të tilla si pandemia i lënë shumë njerëz të ndihen të shqetësuar dhe të kërkojnë shpjegime, sipas Cynthia Miller-Idriss, drejtoreshë e Laboratorit të Kërkimit dhe Inovacionit të Polarizimit dhe Ekstremizmit në Universitetin Amerikan, i cili studion ekstremizmin e ekstremit të djathtë. Teoritë e konspiracionit mund të ofrojnë një ndjenjë artificiale të kontrollit, ka thënë ajo.

“COVID-19 ka krijuar terren pjellor për rekrutim, sepse kaq shumë njerëz në mbarë botën ndihen të shqetësuar”, ka thënë Miller-Idriss. “Këto teori konspirative raciste u japin njerëzve një ndjenjë kontrolli, një ndjenjë pushteti mbi ngjarjet që i bëjnë njerëzit të ndihen të pafuqishëm”.

Betejë e vështirë

Lufta ndaj ekstremizmit në internet ka sfiduar kompanitë e teknologjisë që thonë se duhet ta balancojnë mbrojtjen e fjalës së lirë me heqjen e gjuhës së urrejtjes. Ata gjithashtu duhet të përballen me taktika gjithnjë e më të sofistikuara nga grupet që kanë mësuar t’i shmangin rregullat e platformës.

“Facebooku” këtë muaj njoftoi se kishte hequr një rrjet llogarish me bazë në Itali dhe Francë, që kishin përhapur teori konspirative rreth vaksinave dhe kishin kryer fushata të koordinuara ngacmimi kundër gazetarëve, mjekëve dhe zyrtarëve të shëndetit publik.

Rrjeti, i quajtur V_V, përdorte llogari reale dhe false dhe mbikëqyrej nga një grup përdoruesish që koordinonin aktivitetet e tyre në “Telegram” në një përpjekje për të fshehur gjurmët e tyre nga “Facebooku”, zbuluan hetuesit e kompanisë.

“Ata u përpoqën të ngacmonin në masë individët me pikëpamje pro vaksinimit për t’i bërë postimet e tyre private ose për t’i fshirë ato, në thelb duke shtypur zërat e tyre”, ka thënë Mike Dvilyanski, shef i hetimeve të spiunazhit kibernetik në Meta, kompania mëmë e “Facebookut”.

O'Connor, studiuesi i ISD-së, ka thënë se aplikacionet si “Telegrami” do të vazhdojnë të shërbejnë si strehë për ekstremistët, për sa kohë që atyre u mungojnë politikat e moderuara të platformave më të mëdha.

“Rojat që shihni në platformat e tjera, nuk ekzistojnë në ‘Telegram’”, ka thënë O'Connor. “Kjo e bën atë një vend shumë tërheqës për ekstremistët”.