Një ligjvënës i qytetit të New Yorkut ka thënë të martën se zyrtarët mund të detyrohen t’i varrosin përkohësisht viktimat e koronavirusit nëpër parqe lokale – pasi që morgjet dhe spitalet po e kanë të vështirë të përballojnë gjendjen me viktimat, ka thënë një këshilltar i qytetit të hënën.
“Së shpejti do të nisim me ‘varrime të përkohshme’”, ka shkruar në Twitter këshilltari Mark Levine. “Kjo me gjasë do të bëhet duke përdorur një park të NYC-it për varrosje (po, mirë jeni duke e lexuar). Llogoret do të groposen për 10 varre në një rresht”.
“Do të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe si duhet – dhe përkohësisht. Por do të jetë e vështirë për t’u përballuar nga njujorkezët”, shkroi ai, duke shtuar: “Qëllimi është t’i shmangim skenat si ato në Itali, ku ushtria u detyrua të mblidhte trupat e pajetë nga kishat e madje edhe nga rrugët”, raporton “NYPost”.
Ai më vonë sqaroi se ky është një “plan emergjence që NYZ po e përgatit, por nëse shkalla e vdekshmërisë bie mjaftueshëm, atëherë plani s’do të jetë i nevojshëm”, transmeton KOHA.
Kryebashkiaku Bill de Blasio u pyet për këtë çështje, dhe tha: “Mund të përballemi me varrosje të përkohshme, në mënyrë që të përballemi me secilën familje më pas”, tha ai. “Do të kemi kapacitete për varrime të përkohshme – kjo është krejt çka do të them. Nuk do të hyj në detaje. Nuk mendoj se është gjë e mirë për t’u folur”.
Megjithatë, ai përmendi parkun “Hart Island” si vend për varrime publike.
“Do të provojmë që ta trajtojmë çdo familje me dinjitet, duke i respektuar nevojat religjioze të atyre që janë të devotshëm, dhe fokusi tani është të tentojmë ta tejkalojmë këtë krizë dhe natyrisht t’i vejmë të gjitha energjitë dhe burimet tona në shpëtimin e atyre që mundemi”, shtoi ai.
Levine sqaroi se morgjet e spitalit të qytetit janë mbushur dhe Zyra e Krye-Ekzaminerit Mjekësor ka dërguar 80 kamionë frigoriferë me kapacitet për 100 trupa nëpër spitalet përreth qytetit.
“Por, edhe nga ta, shumica janë mbushur”, tha Levine. “Disa spitale është dashur të vendosin kamionin e dytë dhe të tretë”.
Mbi 2,470 persona kanë vdekur në qytet si pasojë e koronavirusit dhe mbi 64,900 persona në NYC kanë rezultuar pozitivë me virusin.