Në atë që llogariten si ditët finale të udhëheqjes së tij 12-vjeçare, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk pritet ta lërë skenën politike në heshtje.
Lideri shumëvjeçar është duke akuzuar kundërshtarët e tij se kanë tradhtuar votuesit e tyre. Netanyahu thotë se ai është viktima e një konspiracioni të thellë. Ai flet në terma apokaliptik kur bëhet fjalë për shtetin pa lidershipin e tij.
“Ata janë duke çrrënjosur të mirën dhe janë duke e zëvendësuar me të keqen dhe të rrezikshmen”, ka thënë Netanyahu në një intervistë për një televizion izraelit.
“Kam frikë për fatin e kombit”, citohet të ketë thënë po ashtu Netanyahu.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Netanyahu dhe njerëzit e tij besnikë janë duke bërë përpjekjet e tyre të fundit për të parandaluar krijimin e Qeverisë së re.
Një javë më parë, tetë fraksione opozitare politike në Izrael kanë arritur marrëveshjen për të punuar së bashku në qeverinë e re.
Yair Lapid, lider i partisë së qendrës, ka bërë të ditur për një marrëveshje uniteti mes tetë fraksioneve.
Bazuar në marrëveshje, politikani i krahut të djathtë, Naftali Bennett do të jetë kryeministër së pari, për dy vjet, ndërkaq, më pas do t’ia dorëzojë postin Lapidit.