Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në takimin me Merkelin, shteti grek ankohet se është lënë anash

Marrëdhëniet shpesh të tensionuara të Greqisë me Gjermaninë ishin në epiqendër të bisedimeve mes kancelares në largim, Angela Merkel, dhe kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Kancelarja gjermane për herë të parë është takuar edhe me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.

Presidentja ka thënë se Greqia shpesh është ndier e vetmuar gjatë krizës financiare, nga e cila është goditur fort.

Merkeli ka thënë se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Greqisë do të vazhdojnë të zhvillohen mirë edhe nën qeverinë e re gjermane. Teksa ka pranuar se Greqia ishte në situatë të vështirë financiare, kancelarja në largim e Gjermanisë ka thënë se shteti ballkanik e ka tejkaluar këtë krizë.

Gjermania ishte kontribuuesja më e madhe e tri pakove financiare që Greqia pranoi nga viti 2010 deri më 2018.

Ekonomia e Greqisë ishte mbikëqyrur ashpër nga BE-ja dhe i ishin imponuar një sërë reformash, përfshirë ngritjen e vazhdueshme të taksave dhe uljen e pensioneve, rrogave dhe shpenzimeve publike.