Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merkeli merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë izraelite

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka marrë pjesë në mbledhjen e kabinetit qeveritar të Izraelit bashkë me kryeministrin Naftali Bennet, ku është diskutuar për programin bërthamor të Iranit. Derisa ka mirëpritur Merkelin, kryeministri izraelit ka thënë se bota nuk mund të mbajë qëndrim neutral kundrejt Iranit.

Kjo është vizita e fundit zyrtare e Merkelit në Izrael gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të saj në krye të ekonomisë më të madhe evropiane. Merkeli ka shprehur përkrahje pothuajse të palëkundur për Izraelin gjatë gjithë qeverisjes së saj.

Edhe pas largimit të saj nga detyra pas formimit të koalicionit të ri qeveritar, nuk pritet ndryshim i qasjes së Gjermanisë kundrejt shtetit izraelit.

Gjermania ishte lidere gjatë negociatave të vitit 2015 për marrëveshjen ndërkombëtare për programin atomik të Iranit. Marrëveshja u prish më 2018 pas tërheqjes së presidentit të atëhershëm Donald Trump. Presidenti Joe Biden po mundohet ta ringjallë marrëveshjen pavarësisht kundërshtimeve izraelite.