Teksa shtetet po përballen me mungesa të pajisjeve mbrojtëse, punëtorët shëndetësorë në Spanjë po përballen me rrezikun e lartë të infektimit me koronavirus. Doktorët, infermieret dhe shoferët e autoambulancave përbëjnë 12 për qind të rasteve me koronavirus në këtë shtet, që sot arriti në 33 mijë të infektuar e 2200 të vdekur.
“Një infermiere s’mund të punojë pa mbrojtje”, ka thënë Teresa Galindo, që udhëheq një sindikatë të infermiereve në rajonin e Madridit, duke shtuar se kurrë s’ka menduar se “burimet e shërbimeve do të vinin në një kufi të tillë”.
Videot e shpërndara në rrjete sociale kanë shfaqur kushtet e rënda në spitalet e rajonit, me pacientët e shtrirë nëpër korridore, shkruan “NYTimes”.
“Ka njerëz nëpër dhoma, të ulur nëpër karrige plastike për më shumë se 30 orë”, ka thënë Javier Garcia, përfaqësues i sindikatës, për gazetën “El Mundo”, transmeton Koha.
Hotelet e qendrat tregtare po kthehen nëpër spitale. Organizata Doktorët Pa Kufij ka mundësuar një njësi me 100 shtretër në një kampus universitar në Madrid dhe ushtria po dërgon pacientët nëpër spitale duke lehtësuar barrën për sektorin shëndetësor.
Spanja po përballet edhe me numër të vogël të testeve. Raportohet se numri i të infektuarve është më i lartë se ai i regjistruari. Qindra mijëra teste do të jenë të gatshme së shpejti kanë thënë autoritetet që kanë bërë të ditur se stafi shëndetësor do të jetë i pari që do të testohet.