Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në Moskë nis takimi ruso-turk për Sirinë

Fillon në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, takimi i ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe të Mbrojtjes, Hulusi Akar, me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergey Shoygu, ku do të trajtohen zhvillimet në Siri.

Siç raporton Anadolu Agency Çavuşoğlu, Akar, shefi i inteligjencës turke MIT, Hakan Fidan, dhe zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalın, u takuan me homologët e tyre rusë në Moskë.

Çavuşoğlu, në deklaratën e tij para mbledhjes tha se, mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit është duke u zhvilluar një bashkëpunim i afërt në lidhje me Sirinë në formatin e Astana-s.

“Në këtë mënyrë, ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në shumë fusha duke përfshirë procesin politik”, u shpreh ai.

Ai tërhoqi vëmendjen se në Rusi kanë shkuar për t'i vlerësuar zhvillimet e fundit.

“Pas kësaj do të vlerësojmë me partnerët tanë rusë se çfarë mund të bëjmë në Siri. Veçanërisht presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan na dërgoi ne sepse i jep shumë rëndësi marrëdhënieve tona me Rusinë në çështjet rajonale”, tha Çavuşoğlu.

Edhe Putini dhe Fidani diskutojnë rreth përpjekjeve të paqes në Ukrainë Botë Putini dhe Fidani diskutojnë rreth përpjekjeve të paqes në Ukrainë

Ndërsa ministri rus i Mbrojtjes, Shoygu, tha se, “përveç Idlib-it do të vlerësojmë edhe zbatimin e marrëveshjes të arritur në Stamboll”.

“Ndërkohë do të trajtojmë edhe tërheqjen e SHBA-ve nga Siria dhe zhvillimet e fundit në lindje të Eufratit”, ka thënë ai.

Në takim nga pala ruse përveç Lavrov dhe Shoygu marrin pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov si dhe përfaqësuesi special i presidentit rus, Vladimir Putin, për Sirinë, Alexander Lavrentyev. Në takim planifikohet të zhvillohet konsultim për operacionet ushtarake të Turqisë kundër organizatave terroriste në Siri./AA