Botë

Në Gjermani tash lejohet të shpërndahen reklama për abortin

Deputetët gjermanë votuan të premten për t'i dhënë fund ndalimit të reklamimit të abortit, i cili në të kaluarën ka çuar në ndjekjen penale të mjekëve për ofrimin e informacionit në lidhje me procedurën për pacientët e mundshëm, raportoi AP.

Partitë qeveritare dhe partia e Majtë votuan për heqjen e kufizimit, ndërsa Demokristianët e djathtë dhe Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë votuan kundër.

Parlamenti votoi gjithashtu për të anuluar dënimet e mjekëve që nga 3 tetori 1990, kur ligjet e Gjermanisë Perëndimore për abortin u zbatuan në të gjithë vendin pas ribashkimit. Sipas kodit penal të Gjermanisë, mjekët rrezikonin një gjobë ose dënim me burg deri në dy vjet nëse dënoheshin për reklamim të abortit.

Sipas një marrëveshjeje kompromisi në vitin 2019, qeveria e ish-kancelares Angela Merkel e la ndalimin zyrtarisht në fuqi, por lejoi mjekët dhe spitalet për herë të parë të thonë në faqet e tyre të internetit se kryejnë aborte. Megjithatë, ata nuk u lejuan të jepnin informacion më të detajuar.

Në përgjithësi, abortet janë krim në Gjermani, por ato nuk dënohen nëse kryhen brenda 12 javëve të para të shtatzënisë. Gratë që kërkojnë një abort duhet t'i nënshtrohen këshillimit tre ditë para procedurës.

Abortet për arsye shëndetësore ose për shkak të shtatzënisë si pasojë e përdhunimit janë të ligjshme.