Falja e Manafortit dhe Stonet ka rrokur vëmendjen më të madhe për shkak të profileve të larta, pasi ishin njerëz të afërt ose këshilltarë të dikurshëm të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Ata ishin pjesë e hetimeve në raportin e prokurorit special, Robert Mueller, në bazë të të cilit u gjykuan për shkelje të ndryshme kriminale
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka falur të mërkurën mbrëma – sipas kohës lokale – 26 persona, përfshirë aleatin e kahershëm Roger Stone, ish-shefin e fushatës së tij, Paul Manafort, dhe babanë e këshilltarit të lartë të Shtëpisë Bardhë, Jared Kushner, Charles.
Faljet e fundit kanë nxitur dyshime për kompetencat e tij presidenciale për t’i falur kriminelët të cilët janë besnikë të tij, ose kanë lidhje të forta me të ose me familjen presidenciale. Përderisa të gjithë presidentët merren vendime kundërthënëse të faljeve në fund të mandateve, Trumpi duket ta ketë bërë me shpejtësi më të madhe, duke demonstruar se nuk mendohet dy herë kur vjen puna te miqtë dhe aleatët.
Profilet e larta
Falja e Manafortit dhe Stonet ka rrokur vëmendjen më të madhe për shkak të profileve të larta, pasi ishin njerëz të afërt ose këshilltarë të dikurshëm të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Ata ishin pjesë e hetimeve në raportin e prokuror special, Robert Mueller, në bazë të të cilit u gjykuan për shkelje të ndryshme kriminale.
Manafort, i cili është në arrest shtëpiak, e ka pranuar se është fajtor dhe i deklaroi Muellerit se i kishte gënjyer prokurorët, përderisa Stone asnjëherë nuk bashkëpunoi pasi e gënjeu Kongresin për ta mbrojtur presidentin Trump. Manafort i ka kaluar dy vjetët e fundit në burg për shkak të mashtrimit bankar dhe mosdeklarimit të taksave. Ai është shpallur fajtor edhe për lobim ilegal dhe dëshmi që nxiti teori konspiracioni. Ai u lirua për shkak të pandemisë së koronavirusit. Dënimi i Stonet për pengimin e punës së Kongresit dhe për kërcënimin e një dëshmitari ishte falur më parë nga Trumpi.
Charles Kushner, njëherësh, është hetuar nga prokurori i përgjithshëm i asokohshëm i New Jerseyt, Chris Christie, në fillim të viteve 2000 për shmangie taksash, dëshmi të rrejshme dhe për kontribute ilegale fushate.
Dështimi i komplotit
Ai ishte shpallur fajtor në 16 pika të aktakuzës për shmangie taksash, për hakmarrje kundër një dëshmitari federal – vëllait të gruas – dhe një tjetër pikë pse e kishte gënjyer Komisionin Federal të Zgjedhjeve.
Christie tha në vitin 2019 se Charles Kushner kishte “kryer një prej krimeve më të neveritshme”, duke iu referuar një elaborati për hakmarrje me qëllim që ta sulmonte më 2003 mikun William Schulder, ish-punëtor i kthyer në dëshmitar para hetuesve federalë në rastin e tyre kundër Kushnerit.
Si pjesë e komplotit, Kushneri angazhoi një prostitutë për ta joshur Schulderin që të kryente marrëdhënie seksuale në New Jersey në një dhomë moteli, ku ishte vendosur një kamerë e fshehur. Mandej ishte vendosur edhe një incizues në trupin e motrës së Kushnerit dhe gruas së Schulderit, Esther. Në fund kishte dështuar përpjekja për ta vënë në grackë. Schulderët ua dërguan xhirimin prokurorëve, të cilët pastaj e gjetën gruan dhe e kërcënuan se do ta arrestonin. Ajo nuk e mbrojti Kushnerin.
Në listën e faljes të Trumpit është edhe gruaja e ish-përfaqësuesit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve nga Kalifornia, Duncan Hunter, Margaret. Ajo u fal vetëm një ditë pas faljes së Duncan Hunterit. Margaret Hunter u shpall fajtore vjet pse kishte përdorur në mënyrë të vullnetshme autoritetin duke pretenduar se përfaqësonte fushatën në mbledhjen e fondeve, që pastaj do t’i përdorte për qëllime personale.
Falja e masakruesve të irakianëve
Pos faljeve të profilit të lartë, Trumpi ka falur edhe më shumë se 20 individë të tjerë, përfshirë ata të cilët ishin shpallur fajtorë për krime të ndryshme kibernetike, posedim të armëve dhe mashtrim postar. I ka anuluar edhe dënimet e tre personave të tjerë.
Vala e faljeve të së mërkurës mbrëma vjen pasi Trumpi përdori kompetencat e tij të gjera për një listë të së martës ku përfshiheshin edhe ish-këshilltari George Papadopoulos, ish-kongresistin Chris Collins dhe katër ish-pjesëtarë të sigurimit të “Blackwater” për një masakër të kryer në Irak.
Në këtë listë ishte edhe Alex va nder Zvaan, avokat holandez i cili ishte dënuar me 30 ditë në burgim pasi u shpall fajtor pse kishte gënjyer para prokurorëve të Muellerit; dy agjentë të Patrullës Kufitare të dënuar në vitin 2006 pse kishin qëlluar dhe plagosur një imigrant të paarmatosur ilegal dhe e kishin heshtur rastin; dhe disa njerëz të dënuar për krime të lidhura me përdorimin e drogës, që po vuanin dënime të gjata.
Krejt këto vendime, shkruan televizioni CNN në një analizë të gjatë, kanë ardhur pas disa javësh me një mal letrash elektronike në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, me kërkesa për falje të personave të dënuar për vepra të ndryshme.
Imazhi negativ i javëve të fundit
Por, falja e personave të profilit të lartë që ishin të lidhur drejtpërdrejt me fushatën ose me administratën e presidentit republikan ka bërë që vendimet e javëve të fundit të presidencës të krijojnë përshtypje negative për Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump i kishte injoruar gjatë gjithë kohës thirrjet për një proces qeveritar vlerësimi për të rishikuar se kë duhej të falte dhe kush duhet t’i rekomandonte. Kështu, ai është bazuar në fjalë të miqve, donatorëve dhe drejtuesve të emisioneve në “Fox News”.
Prej 20 faljeve të Trumpit, të zyrtarizuara të martën mbrëma, vetëm tri sosh kishin peticione paraprake në pajtim me Zyrën e Faljeve të Departamentit të Drejtësisë, kanë bërë të ditur zyrtarët e vetë këtij mekanizmi të rëndësishëm në administratën amerikane.
Departamenti i kishte deklaruar në nëntor CNN-it se kishte luajtur rol të rëndësishëm vetëm në tetë prej 27 vendimeve për falje që i ka marrë Trumpi.
Faljet e kësaj jave për të akuzuarit e të dënuarit e raportit të Muellerit vijnë pas një viti me fushatë të Trumpit për shpërblimin dhe amnistimin e miqve, që kishin refuzuar ta vinin në situatë të sikletshme gjatë procesit të mbledhjes së dëshmive për përfshirje të mundshme të presidentit në ndërhyrjen e Rusisë në fushatën presidenciale të vitit 2016.
Aleanca e mbrojtjes
Mueller, në raportin e tij final, ka dokumentuar se si Trumpi e kishte sinjalizuar Manafortin dhe Stonen për faljen e mundshme gjatë procesit hetimor nëse nuk do ta përfshinin në dëshmi. Madje, Trumpi kishte thënë se Stone kishte treguar burrëri të madhe. Muelleri nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse Trumpi dhe Stone kishin gënjyer për bisedat e tyre në vitin 2016.
Falja e Manafortit dhe Stonet lidhet edhe me kryqëzatën e Trumpit për t’i minuar të dhënat e hetimeve të Muellerit. Të dy ishin caqet kryesore për të cilët prokurorët besonin se do të mund ta ndanin të vërtetën për çështjen ende të pazgjidhur të fushatës së presidentit dhe ndërhyrjes ruse në vullnetin demokratik amerikan.
Rusia i ka mohuar vazhdimisht dyshimet se kishte lidhje me fushatën kibernetike që besohet se kishte ndikuar drejtpërdrejt në rezultat për shkak se llogaritë e rrejshme shpërndanin lajme të rreme kundër rivales demokrate në zgjedhjet e atëhershme, Hillary Clinton, e cila megjithëse pati shumicën e votës popullore nuk ia doli ta siguronte numrin e mjaftueshëm të delegatëve të Kolegjit Zgjedhor, që e ka fjalën e fundit për zgjedhjen e presidentit.