Trumpi, i cili nuk mori pjesë në debatin e parë, ka thënë se do t'i japë fund pushtimit rus të Ukrainës brenda një dite nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë, teksa i ka bërë thirrje Kongresit që të ndalë fondet për Ukrainën.
Për presidentin Joe Biden, mbështetja e fortë për përpjekjet e Ukrainës për të zmbrapsur pushtimin e Rusisë ka qenë çështje e rrallë ku ai ka marrë mbështetjen dypartiake.
Mirëpo debati i parë presidencial i kandidatëve republikanë i kësaj jave - dhe komentet e fundit mbi Ukrainën nga udhëheqësi i garës republikane dhe ish-presidenti Donald Trump - tregojnë se uniteti i pazakontë do të përballet me test të vështirë ndërsa fushata presidenciale e vitit 2024 intensifikohet dhe pretendentët kryesorë republikanë tregojnë antipati ndaj mbështetjes amerikane për Ukrainën.
Prej kohësh ka pasur tendosje izolacioniste në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në partinë republikane, por rrallëherë është ndarë nga kaq shumë kandidatë për president.
Në skenën e debatit në Milwaukee, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis ka thënë se do ta kushtëzonte ndihmën shtesë të SHB-së me rritjen e kontributeve edhe nga aleatët evropianë. Sipërmarrësi Vivek Ramaswamy e quajti “të rëndë” që qeveria amerikane “po mbronte kundër pushtimit përtej kufirit të dikujt tjetër” dhe argumentoi se fondet e Ukrainës do të shpenzoheshin më mirë për “pushtimin e kufirit tonë jugor”.
Ndërkohë, Trumpi, i cili nuk mori pjesë në debatin e parë, ka thënë se do t'i japë fund pushtimit rus të Ukrainës brenda një dite nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Edhe disa nga aleatët e tij republikanë, si senatorja Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, kanë thënë se zgjatja e pushtimit është marrëzi.
Trumpi gjithashtu i ka bërë thirrje Kongresit të ndalojë fondet shtesë për Ukrainën derisa FBI, IRS dhe Departamenti i Drejtësisë “të dorëzojnë çdo copëz provash” mbi marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden.
Daniel Fried, ish-ambasador i SHBA-së në Poloni dhe anëtar i shquar në Këshillin Atlantik, ka thënë se udhëheqja republikane e Kongresit dhe Bideni mbeten në të njëjtën faqe për t'i ofruar Ukrainës ndihmën që i nevojitet.
Megjithatë, ai ka shtuar se zërat e shquar në partinë republikane që bëjnë thirrje që SHBA të ngadalësojë ose të pakësojë mbështetjen për Kievin, dërgojnë sinjal shqetësues për aleatët se si mund të duket angazhimi i SHBA-së pas zgjedhjeve të 2024-s dhe të kthehen në vitet kur izolacionistët ushtronin presion që SHBA-ja të qëndrojë neutrale gjatë dy vjetëve të para të Luftës së Dytë Botërore.
“Shumica e republikanëve të zgjedhur në kryesuesit e komiteteve dhe njerëzit me pushtet në Kongres janë ende solidë”, ka thënë Fried. “Kur ata sulmojnë administratën, zakonisht është që nuk po bën sa duhet. Por Trumpi dhe trumpistët përfaqësojnë këtë traditë tjetër në historinë tonë. Dhe hera e fundit që kjo traditë izolacioniste ishte e fuqishme në Amerikë, ajo çoi në rezultate katastrofike”.
Zëdhënësi i fushatës së Biden, Kevin Munoz në një deklaratë kritikoi “republikanët e Trumpit” në skenën e debatit për anashkalimin e presidentit rus Vladimir Putin në lidhje me popullin ukrainas dhe aludoi se Ramaswamy tallet me politikanët amerikanë që kanë udhëtuar në Kiev për t'u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe të tregojnë solidaritet me popullin ukrainas.