NATO-ja ka marrë vendim të enjten që t’ia zgjasë mandatin Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Jens Stoltenberg edhe për një vit.
Stoltenberg do të qëndrojë në këtë post deri më 30 shtator 2023, për të ndihmuar në drejtimin e organizatës ushtarake në kohën e krizës së sigurisë që është shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, raportoi ABC News.
Stoltenberg ka shkruar të enjten në Twitter se ai ndihet i i nderuar nga vendimi i liderëve të NATO-s.
“Ndërsa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në këtë kohë, ne qëndrojmë të bashkuar për ta mbajtur aleancën tonë të fortë dhe popullin tonë të sigurt”, ka thënë ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologët e tij ranë dakord për të zgjatur mandatin e tij në një samit të mbajtur të enjten në Bruksel.
Ish-kryeministri norvegjez u emërua në postin më të lartë civil të NATO-s në tetor të vitit 2014. Është hera e dytë që mandati i tij zgjatet, teksa pritej të përfundonte në shtator.
Në një postim në Twitter, Biden ka thënë se Stoltenbergu ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke udhëhequr dhe forcuar aleancën, veçanërisht gjatë këtij momenti kritik për sigurinë ndërkombëtare.