Botë

Mot ekstrem në Kinë

Fshatrat dhe tokat bujqësore të përmbytura nga vërshimet, shtëpitë dhe rrugët e përmbytura nga rrëshqitjet e dheut, të korrat që vyshken nga vapa përvëluese.

Që nga fillimi i verës, skenat e shkatërrimit dhe mjerimit janë shfaqur në gjithë Kinën, ndërsa kombi më i populluar në botë përballet me një numër të madh emergjencash ekstreme të motit.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar për vite se kriza klimatike do të përforcojë motin ekstrem, duke e bërë atë vdekjeprurës shumë shpesh, shkruan CNN.

Që nga fillimi i sezonit të shirave, stuhitë e mëdha të shiut kanë sjellë përmbytje të rënda dhe rrëshqitje të dheut në zona të mëdha të Kinës jugore, duke vrarë dhjetëra njerëz, duke zhvendosur miliona dhe duke shkaktuar humbje ekonomike që arrijnë në miliarda juanë.

Në qershor, reshjet ekstreme thyen “rekordet historike” në provincën bregdetare Fujian, si dhe në pjesë të provincave Guangdong dhe Guangxi. Në të njëjtën kohë, një valë e madhe e nxehtësisë filloi të mbështjellë Kinën veriore, duke shtyrë temperaturat në mbi 40 gradë Celsius.

Kjo valë e të nxehtit tani ka përfshirë gjysmën e vendit duke prekur më shumë se 900 milionë njerëz, ose rreth 64 për qind të popullsisë.

Të gjitha, përveç dy provincave verilindore në Kinë, kanë lëshuar paralajmërime për temperatura të larta, me 84 qytete që kanë lëshuar alarmet e tyre të kuqe të nivelit më të lartë të mërkurën e kaluar.

Vapa mbytëse ka përkuar me një rritje të rasteve me Covid, duke e bërë testimin masiv të mandatuar nga qeveria edhe më torturues për banorët - përfshirë të moshuarit - të cilët duhet të presin në radhë të gjata nën diell. Është bërë gjithashtu një detyrë e rrezikshme për punonjësit e shëndetësisë, të cilëve, si pjesë e politikës së qeverisë 'zero-Covid', u kërkohet të kalojnë orë të gjata jashtë të mbuluar kokë e këmbë në pajisje PPE hermetike ndërsa administrojnë testet.