Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministri i Jashtëm ukrainas: Perëndimi t’i kthehet strategjive proaktive kur merret me Rusinë

Perëndimi duhet të kthehet "nga strategji reaktive në proaktive" kur merret me Rusinë, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Në një konferencë virtuale për shtyp sa i përket konfliktit në vazhdim, situatës aktuale në këtë rajon dhe se çfarë mund të bëhet për të qetësuar tensionet, Kuleba tha se Ukraina është historikisht, politikisht dhe kulturalisht pjesë e Perëndimit.

"Rusia ndërtoi infrastrukturën e saj ushtarake pranë kufirit ukrainas dhe testoi reagimin e Perëndimit," tha ai, duke nënvizuar se pavarësisht pretendimeve të fundit të Rusisë për një lloj tërheqjeje të kufizuar të trupave nga kufiri, Ukraina nuk mund të konfirmojë ndonjë rënie reale të numrit të trupave.

"Ukraina po përgatitet për të gjithë skenarët e mundshëm," tha ai, duke shtuar se ata nuk e nënvlerësojnë kërcënimin. “Ukraina është e gatshme të takohet me Rusinë në çdo format për të kërkuar zgjidhje diplomatike. Ne kurrë nuk jemi fshehur nga negociatat”, tha kryediplomati ukrainas, raporton AA.

Ministri i Jashtëm ukrainas gjatë këtij adresimi për shtyp bëri të ditur se Ukraina nuk planifikon asnjë operacion sulmues apo provokim, teksa shtoi se ky vend bashkë me partnerët dhe aleatët e saj mund të jenë efikase në frenimin e Rusisë.

“Ukraina mirëpret çdo përpjekje nga çdo vend, çdo institucion ndërkombëtar "për ta mbajtur situatën në rrugën e duhur. Ne përshëndesim SHBA-në për ndihmën më të madhe ushtarake në histori", përfundoi ai.