Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, i ka shkruar letër sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke e alarmuar se nëse reduktohet prania amerikane në BeH, do të hapej rruga për forcimin e ndikimit rus dhe destabilizimin e shtetit.
Në një letër të gjatë, zyrtari boshnjak ka thënë se Bosnjë-Hercegovina e ka marrë shumë seriozisht mesazhin për mundësinë që SHBA-ja të rikonsiderojë rolin në praninë ndërkombëtare në këtë shtet, nëse nuk arrihet të gjendet një përfaqësues i ri i Lartë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Çfarëdo reduktimi i rolit të SHBA-së do të rrezikonte hapjen e një hapësire që shpejt do të mund të zihej nga Federata Ruse, aleatët e saj dhe satelitët lokalë, si dhe akterë të tjerë qëllimi i të cilëve nuk është stabiliteti, por dobësimi i marrëveshjes së Dejtonit, pengesa e së ardhmes euroatlantike të Bosnjë-Hercegovinës dhe shpërndarja e ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Konakoviq në letër.
Konakoviq e ka cilësuar jetike përzgjedhjen e një Përfaqësuesi të ri të Lartë. Këtë post aktualisht e ka marrë përsipër diplomati amerikan, Louis J. Crishock, si ushtrues detyrë deri në përzgjedhjen e një përfaqësuesi të ri. SHBA-ja dhe shtetet evropiane dështuan një ditë më parë që të përzgjedhin një pasues të Christian Schmidtit.
Konakoviq në letrën e tij ka thënë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është institucion kyç për implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit, sidomos në rrethanat, “kur rendi kushtetues, autoriteti i institucioneve shtetërore, sovraniteti dhe integriteti territorial i BeH-së po sfidohen”.
Tek ka shkruar për sulmet direkte të Marrëveshjes së Dejtonit, Konakoviq ka përmendur ish-presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik. “Rreziku vjen nga një projekt politik ndarës, i mbështetur e nxitur nga Moska, që sheh të shfrytëzojë dobësitë institucionale, traumat historike e pavendosmërinë ndërkombëtare. Një politikë e tillë mund të shërbejë vetëm për të ringjallur konfrontimet dhe luftërat”, ka shkruar ai.
Edhe në mbledhjen e mbajtur në Sarajevë të martën, zyrtarët evropianë kanë mbajtur qëndrimin e tyre duke e kundërshtuar kandidaturën e Antonio Zanardi Landit, diplomat i propozuar për Përfaqësues të Lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Në të njëjtën kohë, Washingtoni nuk e ka mbështetur kandidatin për të cilin kanë avokuar Gjermania dhe Franca – diplomatin francez Rene Troccaz.
Mospajtimi ka çuar në paralajmërime për tërheqje të pranisë amerikane nga Bosnjë-Hercegovina.