Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministrat e Jashtëm të BE-së kërkojnë të lejohen më shumë ndihma për Gazën

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë diskutuar mënyrat se si të ndihmohet në kalimin e ndihmave humanitare në Gaza, veçanërisht karburantit, pasi kolonat e para të kamionëve që transportonin ndihma arritën të hynin gjatë fundjavës.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, pas takimit ka thënë se BE-ja dënon sulmin e grupit Hamas dhe se mbështet të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten, mirëpo kjo e drejtë duhet të jetë në koordinim me të drejtat ndërkombëtare, e në veçanti me të drejtën humanitare, e cila nuk mund të shkelet.

Ai ka thënë se, sipas këtyre të drejtave, popullsia në Gaza nuk duhet të privohet nga uji, ushqimi e energjia elektrike.

Borrell ka shtuar se kalimi i kamionëve me ndihma është shenjë pozitive, mirëpo numri i tyre duhet të rritet e ndihmat të përshpejtohen.

Së bashku me ministrat, Borrell bëri të ditur se janë pajtuar që ndihma të ofrohet sa më shpejt, sidomos lejimi i kalimit të karburantit, i cili është shumë i nevojshëm për t’i vënë në funksion impiantet e shkripëzimit.