Botë

Ministrat e BE-së miratojnë fondin e ri të armatimit prej 150 miliardë eurosh

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian ka miratuar të martën krijimin e fondit të armëve në vlerë prej 150 miliardë eurosh, nxitur nga frika e agresionit të mundshëm të Rusisë në të ardhmen e afërt dhe pikëpyetjeve mbi garancionet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kontinentin e vjetër, ka raportuar Reuters.

Miratimi, nga ministrat e vendeve të BE-së që u takuan në Bruksel, ishte hapi i fundit ligjor në krijimin e skemës së Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE), duke përdorur huamarrjen e përbashkët të BE-së për t’u dhënë kredi vendeve evropiane për projekte të përbashkëta mbrojtëse.

Masat e propozuara u mbështetën prej 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së, teksa Hungaria abstenoi.

“Ne miratuam SAFE, programin e parë të investimeve në mbrojtje në shkallë të gjerë në nivelin e BE-së”, kanë thënë zyrtarët e Polonisë, e cila mban presidencën e radhës së BE-së. “Sa më shumë të investojmë në sigurinë tonë, aq më mirë i pengojmë ata që dëshirojnë të na bëjnë dëm”.

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, e pati propozuar fondin fillimisht në muajin mars, për shkak të frikës gjithmonë e në rritje të udhëheqësve evropianë se administrata e presidentit Donald Trump nuk do t’i mbrojë më nga kërcënimet e jashtme.

Të alarmuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe nga frika se mund të jenë objektivi i radhës i Moskës, vendet e BE-së kanë rritur tashmë shpenzimet e mbrojtjes me më shumë se 30% në tre vjetët e fundit.

Mirëpo, udhëheqësit e BE-së pretendojnë se kjo nuk është e mjaftueshme.

Moska zyrtare e ka kualifikuar prirjen e BE-së për t’u riarmatosur si nxitje për luftë bazuar në një “histori të shpikur” të kërcënimit rus.

Iniciativa e BE-së synon të thyejë barrierat kombëtare duke financuar projekte të përbashkëta midis vendeve anëtare dhe synon të fuqizojë industrinë mbrojtëse të kontinentit.