Botë

Mineralet e rralla të Ukrainës mund ta vazhdojnë ndihmën ushtarake amerikane

Volodymyr Zelensky - Donald Trump

Foto: Associated Press

Ukraina i ka ofruar një marrëveshje presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta vazhduar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të burimeve minerale që Ukraina i posedon, të cilat janë esenciale për fushën e teknologjisë, raporton agjencia  “AP”.

Trumpi kishte thënë se ishte në favor të kësaj marrëveshje më herët këtë muaj. Kjo marrëveshje ishte propozuar paraprakisht nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në vjeshtën e vitit të kaluar, si pjesë e planit të Ukrainës për të konsoliduar pozitën e saj në negociatat e ardhshme me Moskën.

Elementet e rralla të tokës janë një grup prej 17 elementesh që janë thelbësore për shumë lloje të teknologjisë, duke përfshirë celularët, disqet e “hardware” dhe automjetet elektrike e hibride.

Nuk është e qartë nëse Trumpi po kërkon elemente specifike në Ukrainë, e cila gjithashtu ka minerale të tjera për të ofruar.

“Ka mundësi të jetë litium. Mund të jetë titani, urani, shumë të tjera,” ka deklaruar shefi i stafit të presidentit ukrainas, Zelensky, Andrii Yermak. 

Për Ukrainën, një marrëveshje si kjo do të siguronte që aleati i saj më i madh nuk do ta ngrijë mbështetjen ushtarake. Nëse mbështetja ushtarake do të ndalej, kjo do të ishte goditje fatale për Ukrainën e cila është në luftë me Rusinë që nga 14 shkurti i vitit 2022.

Detajet e çfarëdo marrëveshjeje mund të diskutohen midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas gjatë muajve në vazhdim. Presidenti Trump kishte deklaruar të martën se do të dërgonte sekretarin e Thesarit, Scott Bessent në Ukrainë për t’u takuar me Zelenskyn. 

“Kjo luftë duhet dhe do të përfundojë shpejt – shumë vdekje dhe shkatërrim. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar miliarda dollarë, por kanë treguar pak rezultate”, kishte thënë Trumpi në një postim në rrjetet sociale.