Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mijëra njerëz përkujtojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë të kryer nga serbët 28 vjet më parë

Me varrosjen e 30 viktimave të zbuluara së fundi, të martën është shënuar 28-vjetori i masakrës së Srebrenicës, krim i njohur si gjenocid. Në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit, u mblodhën mijëra njerëz për të përkujtuar mbi 8000 burra e djem myslimanë, të vrarë më 11 korrik 1995 nga forcat serbe të Bosnjës

Mijëra njerëz nga Bosnja dhe jashtë saj u mblodhën në Srebrenicë të martën, për ritualin vjetor të përkujtimit të masakrës së vitit 1995, ku u bë edhe varrimi i viktimave e zbuluara së fundmi.

Njëzet e tetë vjet pasi u vranë nga forcat serbe në gjenocidin e vetëm të njohur në Evropë që nga Holokausti, 27 burra dhe tre adoleshentë u varrosën në një varrezë përkujtimore të madhe dhe gjithnjë në zgjerim, ku tashmë janë të varrosur mbi 6600 viktima.

Të afërmit e viktimave patën mundësinë t’i varrosin vetëm disa nga mbetjet mortore, pasi ato zakonisht gjenden të shpërndara, ndonjëherë me kilometra larg njëra-tjetrës.

Të martën, Abdulah Emiq, i mbijetuar i masakrës, e varrosi dajën e tij.

“Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem. Unë kam qenë këtu gjatë luftës, nga fillimi në vitin 1992 e deri në nënshkrimin e Dejtonit, marrëveshjes së paqes. Kam humbur nënën time, një vëlla, dy kushërinj, xhaxhallarë e shumë të afërm të tjerë në luftë, kjo ka pasur ndikim të tmerrshëm për mua”, tha Esmiq.

Edhe Mijëra njerëz mblidhen për të shënuar 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë Rajon Mijëra njerëz mblidhen për të shënuar 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

“Jemi shumë të trishtuar dhe do të jemi gjithmonë të trishtuar. Nuk ka asgjë më shumë që mund të them, ka kaq shumë trishtim në ne për gjithë këto vite e po mundohemi të jetojmë me pasojat e këtij gjenocidi”, theksoi Mevlija Sabanoviq, e mbijetuar e masakrës.

Udhëheqësi politik serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti ushtarak Ratko Mlladiq, u dënuan për rolin e tyre në këtë gjenocid nga një gjykatë speciale e OKB-së për krimet e luftës.

Në përgjithësi, tribunali në Hagë dhe gjykatat e tjera në Ballkan kanë dënuar rreth 50 zyrtarë serbë të Bosnjës me më shumë se 700 vjet burgim për krimin në Srebrenicë.

Edhe 29 vjet nga masakra e Srebrenicës Rajon 29 vjet nga masakra e Srebrenicës

Në 28-vjetorin e masakrës, kanë reaguar liderë të shumtë, mes tyre edhe ata nga Kosova.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se duhet të luftohet për drejtësi për të mos lejuar mohuesit e gjenocidit dhe nxitësit e urrejtjes të bëhen kërcënim për paqen. (Përgatiti Blerta Haxhiu)