Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar opozitarin rus Alexei Navalny derisa ky i fundit po trajtohej në spitalin e Berlinit pas helmimit, ka thënë zëdhënësi i Merkelit të hënën.
Lajmet për takimin e tyre mund të shqetësojë Moskën, e cila refuzon të pranojë gjetjet e ekspertëve gjermanë, francezë dhe suedezë që tregojnë se Navalny ishte helmuar përmes një agjenti nervor në Rusi muajin e kaluar, raporton Reuters. Rusia vazhdimisht ka kritikuar Gjermaninë duke thënë se ka dështuar pasi ka përhapur informacionet për këtë rast.
“Ishte një vizitë personale tek Navalny në spital”, ka thënë zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert në një konferencë për media, teksa tha se Gjermania ende pret një sqarim nga Rusia lidhur me këtë rast.
Ndërkaq, Navalny ka shkruar në Twitter se ka qenë “një takim dhe bisedë private me familjen”, transmeton KOHA.
Rasti i Navalnyt ka vështirësuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Moskës dhe një numër të shteteve perëndimore. Ai është dërguar nga Rusia për në Berlin muajin e kaluar pasi ishte sëmurë gjatë një fluturimi. Ai ka marrë trajtim në spitalin Charite për 32 ditë ndërsa është liruar javën e kaluar.