Botë

Meksika, shteti me më së shumti persona të zhdukur në botë

Meksika është shteti me më së shumti persona të zhdukur në botë. Për fatin e 100 mijë personave nuk dihet ende asgjë, sipas Komisionit Kombëtar të Kërkimit të Meksikës. Kjo shifër është më e larta në botë që nga viti 1954. Meksika përgjatë viteve ka qenë e shkatërruar nga lufta e drogës, derisa numri i vrasjeve është shumë i përhapur. Shkalla e krimeve rritet në mënyrë të pashmangshme, duke shkuar në rreth 30 mijë të vdekur në vit.

Por, zhdukja është goditja më mizore, duke i privuar familjarët t’i vajtojnë trupat e më të dashurve të tyre.

“Zhdukja është ndoshta forma më ekstreme e vuajtjes për të afërmit e viktimave”, ka thënë Angelica Duran Martinez, një profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Massachusetts, raporton NYTIMES.

Sipas Durán-Martínez, kriza e të zhdukurve në Meksikë nuk flet vetëm për përhapjen e krimit të organizuar, por edhe prirjen që forcat e sigurisë shtetërore të përfshihen në dhunë.

Ndër shembujt më të njohur është zhdukja në vitin 2014 e 43 studentëve nga një kolegj mësuesish ruralë në qytetin Ayotzinapa. Një hetim nën Enrique Peña Nieto, presidenti në atë kohë, fajësoi një kartel lokal droge dhe policinë bashkiake. Por ky shpjegim është dënuar gjerësisht nga ekspertët ndërkombëtarë, përfshirë Kombet e Bashkuara, të cilët zbuluan se procesi ishte "dëmtuar nga torturat dhe fshehjet".

Besohet se studentët kanë vdekur, por askush nuk e di se ku janë trupat e tyre, kush e bëri apo pse.

“Është një pasiguri e tmerrshme që nuk ia uroj askujt”, ka thënë Noemy Padilla Aldza, e cila tash e dy vjet është në kërkim të djalit të saj, Juan Carlos, i cili ishte 20-vjeçar kur u raportua i zhdukur.

“Nëse do e dija se ka vdekur, do ta dija se nuk vuan, por ne nuk e dimë, dhe kjo është torturë.”