Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë të martën, se Moska ka të drejtë të mbrohet me armë bërthamore nëse shtyhet përtej kufijve të saj dhe se kjo, sipas tij, "sigurisht nuk është një blof".
Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, paralajmëroi gjithashtu se Moska ka të drejtë të përgjigjet "pa konsultime", pasi tensionet me Perëndimin po rriten pas referendumeve të mbajtura në zona të mëdha të territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia, raportoi Reuters të martën.
Medvedev ka lëshuar rregullisht deklarata agresive për Perëndimin dhe Ukrainën në muajt e fundit.
Kërcënimet ruse për përdorimin e armëve bërthamore janë bërë të shpeshta qëkur Ukraina ka rikthyer nën kontroll disa prej territoreve të saj të cilat ishin pushtuar nga forcat ruse.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të këtij viti.