Botë

Medinsky: Rusia i ka dërguar Ukrainës propozimin për datën dhe vendin për takimin e ardhshëm

Vladimir Medinsky

Foto: Associated Press

Kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes, Vladimir Medinsky, ka thënë të mërkurën se i ka dërguar propozime Ukrainës sa i përket datës dhe vendtakimit për të shkëmbyer memorandumet, apo kushtet, që çojnë në përfundimin e luftimeve.

Të dyja palët ndodhen nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa delegatët e të dyja vendeve u takuan këtë muaj në Stamboll për herën e parë që prej marsit të vitit 2022, ka raportuar Reuters.

Bisedimet dështuan të prodhojnë një marrëveshje të armëpushimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pas bisedës telefonike me presidentin Trump më 19 maj, pati deklaruar se Moska është e gatshme të punojë me Ukrainën rreth një memorandumi që do t’i paraprijë marrëveshjes së ardhshme të paqes.

Medinsky ka shkruar në rrjetin social Telegram, se e ka thirrur ministrin e Mbrojtjes së Ukrainës, njëkohësisht kreun e delegacionit, Rustem Umerov, për t’ia kumtuar propozimet rreth datës dhe vendit për takimin e radhës.

“Më lejoni të theksojë, ne jemi gati të fillojmë një diskutim esencial për secilën nga pikat e marrëveshjes për një armëpushim të mundshëm”, ka thënë ai.

Medinsky është shprehur se pret përgjigje nga Ukraina dhe se delegacioni rus është i gatshëm të takohet me homologët ukrainas kokë më kokë gjatë ditëve në vijim.