Botë

Mbi 60 të vdekur në Gjermani e Belgjikë si pasojë e vërshimeve

Më shumë se 60 persona kanë vdekur ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë zhdukur të enjten si pasojë e vërshimeve që kanë prekur Gjermaninë dhe Belgjikën.

Një stuhi ka goditur ditëve të fundit disa pjesë të Evropës perëndimore duke bërë lumenjtë që të dalin nga shtretërit e tyre, gjë që ka shkaktuar vërshime të mëdha gjatë natës pasi toka nuk mund të përpinte më ujë.

“Brengosem për ata që kanë humbur jetët në këtë fatkeqësi”, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel derisa po qëndron për vizitë zyrtare në Uashington.

Merkeli ka premtuar se do të bëhet gjithçka që të gjenden ata që janë të zhdukur.

Ndërkohë autoritetet në zonat më të prekura në Gjermani kanë thënë se deri më tani numri i të vdekurve si pasojë e vërshimeve ka shkuar në 58 persona. Ndërkaq, në Belgjikë raportohet për tetë të vdekur deri më tani.

Një nga zonat më të prekura nga vërshimet në Gjermani është fshati Schuld aty ku shumë shtëpi janë shkatërruar derisa dhjetëra njerëz llogariten të zhdukur.