Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mbi 30 të vdekur nga zjarri në një traget të madh në Bangladesh

Të paktën 30 persona kanë vdekur dhe rreth 100 të tjerë kanë mbetur të lënduar, pasi një traget i mbushur plot është përfshirë nga zjarri në jug të Bangladeshit, thonë zyrtarët lokalë.

Zjarri në anijen tri katërshe ka filluar kur mjeti ishte në mes të lumit, pranë qytetit Jhalakathi, përderisa trageti po lundronte nga kryeqyteti Daka drejt qytetit Barguna.

Disa nga viktimat kanë vdekur pasi u hodhën në ujë, në përpjekje për të shpëtuar nga zjarri, raporton BBC.

Numri i viktimave të kësaj ngjarje mund të rritet, pasi shumë prej pasagjerëve kanë pësuar djegie të rënda.

“Trageti me tri kate, Obhijan 10, u përfshi nga zjarri në mes të lumit. Kemi nxjerrë 32 trupa. Numri i të vdekurve mund të rritet. Shumica vdiqën nga zjarri dhe disa nga mbytja në ujë, pasi kërcyen në lum”, tha komandanti i policisë lokale, Moinul Islam, për agjencinë “AFP”.

Si raportohet, në traget ndodheshin rreth 500 persona.

Edhe Mbi 66 të vdekur pas fundosjes së tragetit në Bangladesh Botë Mbi 66 të vdekur pas fundosjes së tragetit në Bangladesh

Aksidentet me tragete nuk janë të rralla në Bangladesh. Kjo për arsye të mirëmbajtjes së dobët, standardeve jo të duhura të sigurisë dhe mbingarkesës.