Më shumë se 100 trupa të torturuar janë gjetur në rrugët e rajonit Sumy, pasi forcat ruse janë tërhequr nga verilindja e Ukrainës.
Kreu i administratës ushtarake rajonale në Sumy, Dmytro Zhyvytskyi ka thënë se numri i viktimave çdo ditë po rritet.
"Ka më shumë se 100 të vdekur në mesin e civilëve në rajonin e Sumyt. Për fat të keq, ky numër po rritet çdo ditë. Shumë njerëz u gjetën të vdekur me duar të lidhura dhe me shenja të torturave, të qëlluar në kokë”, ka thënë ai në një konferencë të mërkurën, raportoi CNN-i.
Zhyvytskyi pretendon se ka njerëz që po mbahen robër dhe se po bisedohet për shkëmbime të reja.
Këtë javë, kabineti ukrainas ka ndarë rreth tetë milionë dollarë për rajonin e Sumyt për të filluar riparimin e banesave, rrugëve dhe shërbimeve.