Një mbështetës i Shtetit Islamik është dënuar me burgim të përjetshëm të mërkurën për therjen për vdekje të deputetit britanik si hakmarrje për votën e tij në mbështetje të sulmeve ajrore mbi Sirinë.
26-vjeçari Ali Harbi Ali u dënua të hënën për vrasjen e deputetit konservator David Amess dhe për përgatitje të veprimeve terroriste. Gjykata diskutoi vetëm 18 minuta para se ta shpallte fajtor.
Ali e theri Amessin me thikë disa herë më 15 tetor 2021, derisa ai po takonte votuesit në korridorin e një kishe në Angli. Aliu, i cili ishte nga Londra, por me origjinë nga Somalia, ka thënë se targetoi Amessin për shkak se ai mbështeti votimin e sulmeve ajrore në Siri më 2014 dhe 2015.
Prokurorët e përshkruan Aliun si terrorist të përkushtuar dhe fanatik dhe thanë se ai kaloi vjet duke përgatitur një sulm mbi politikanët britanikë.
Gjatë gjykimit, Aliu ka thënë se veproi në Britani për t’u ndihmuar myslimanëve të Sirisë, sepse ai nuk mund të udhëtonte për t’iu bashkuar grupit të Shtetit Islamik. Ai shtoi se nuk mendon se ka bërë diçka të gabuar.
Aliu ka thënë para trupit gjykues se priste që të qëllohej dhe të vdiste në vendin e ngjarjes, por vendosi ta lëshonte thikën, pasi pa se policët e parë që arritën aty nuk kishin armë.