Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mashtrimet për COVID në Itali, shkatërrohet rrjeti që ia vodhi shtetit 440 milionë euro

Policia italiane ka shkatërruar një rrjet të madh mashtrimi që mblidhte në mënyrë të paligjshme paratë e ndihmës për COVID-19 që qeveria kishte shpërndarë për të mbështetur kompanitë dhe tregtarët në krizën e pandemisë. Kriminelët i kanë vjedhur shtetit italian 440 milionë euro përmes kreditimeve false tatimore.

Fondet thuhet se u janë paguar personave si sipërmarrës dhe kontabilistë që nuk u takonin, dyshojnë hetuesit. Arrestimet kishin filluar në qytetin e Rimini të Adriatikut dhe u përhapën në disa rajone. Gjithsej 78 persona janë duke u hetuar.

Policia financiare ka kryer 80 kontrolle nëpër shtëpi të ndryshme. Madje në këto raste janë gjetur edhe valixhe të mbushura me para të vjedhura. Hetuesit thanë se dëmi nga përfitimet e paligjshme nga kreditë e rreme tatimore arrin në 440 milionë euro. Tetë persona u arrestuan gjatë bastisjeve nga Guardia di Finanza dhe po mbahen në paraburgim, ndërsa katër të tjerë janë në arrest shtëpie.

Ndërmjetësit kishin aplikuar për lehtësim për disa kompani që nuk ekzistonin, dhe kreditë tatimore iu shitën më pas personave të tretë. Shoqata, me seli në Rimini, thuhet se ka operuar në të gjithë Italinë.

Ndalime profesionale u vendosën për 20 sipërmarrës dhe tre kontabilistë të grupit të mashtrimit. Nëntë nga të dyshuarit kishin aplikuar për natyralizim dhe tre të tjerë ishin dënuar më parë për lidhje me mafian.