Masakra e Nanjingut dhe kujtimet e errëta të pushtimit japonez vazhdojnë të trazojnë marrëdhëniet midis Kinës dhe Japonisë. Ndërsa Kina kërkon njohje dhe pendesë për krimet e kryera, Japonia shpesh përqendrohet në vuajtjet e veta dhe shmang një përballje të plotë me të kaluarën. Kjo histori e pambyllur ushqen tensionet dhe rrit nacionalizmin në të dy vendet. Përplasja e kujtimeve historike vazhdon të ndikojë rëndë në marrëdhëniet bilaterale.
Blogeri japonez Hayato Kato, i cili ka 1.9 milion ndjekës, është i njohur për videot e tij plot humor ku eksploron Kinën, vend ku ka jetuar prej disa vitesh.
Por më 26 korrik, ai i befasoi ndjekësit me një video serioze.
“Sapo pashë një film për Masakrën e Nanjingut”, tha ai, duke iu referuar fushatës gjashtë-javore të ushtrisë japoneze në fund të vitit 1937 në qytetin e atëhershëm kryeqytet të Kinës, ku sipas disa vlerësimeve u vranë mbi 300.000 civilë dhe ushtarë kinezë. Rreth 20.000 gra thuhet se u përdhunuan.
Filmi “Dead To Rights”, i njohur ndryshe edhe si “Nanjing Photo Studio”, tregon historinë e një grupi civilësh që fshihen në një studio fotografike për t’u shpëtuar ushtarëve japonezë. Filmi, i cili tashmë ka arritur sukses në kinema, është i pari nga një seri filmash që po publikohen në Kinë për të përkujtuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por ndjenja e një historie të pambyllur, shpesh e nxitur nga Pekini - vazhdon të ushqejë kujtimin dhe zemërimin.
Duke folur në gjuhën kineze në Douyin (versioni kinez i TikTok-ut), Kato tregoi disa skena nga filmi: “Njerëzit ishin rreshtuar përgjatë lumit dhe më pas filluan pushkatimet... Një foshnjë, e njëjtë në moshë me vajzën time, po qante në krahët e nënës. Një ushtar japonez vrapoi, e kapi dhe e përplasi në tokë”.
Ai tha se kishte parë shumë njerëz në internetin japonez, përfshirë figura publike dhe politikanë, që mohonin se masakra kishte ndodhur. “Nëse e mohojmë këtë, atëherë do të ndodhë sërish”, shtoi ai, duke u bërë thirrje japonezëve të shikojnë këto filma dhe të mësojnë për anën e errët të historisë së tyre.
Videoja u bë një nga më të ndjekurat e tij, me mbi 670.000 pëlqime në vetëm dy javë.
Por komentet nuk ishin aq pozitive. Komenti më i pëlqyer citon një nga frazat më të fuqishme të filmit, që një civil kinez ia thotë një ushtari japonez: “Nuk jemi miq? Asnjëherë nuk kemi qenë”.

“Kthimi i dritës”
Për Kinën, pushtimi dhe fushata ushtarake e Japonisë përbëjnë një nga kapitujt më të errët të së kaluarës dhe masakra në Nanjing, atëherë kryeqytet, është një plagë edhe më e thellë.
Ajo që e ka bërë këtë plagë të mos shërohet, është bindja se Japonia kurrë nuk ka pranuar plotësisht krimet që ka kryer në vendet që ka pushtuar, jo vetëm në Kinë, por edhe në Kore, Malajzi, Filipine e Indonezi. Një nga temat më të dhimbshme mbetet ajo e grave, rreth 200.000 gra që u përdhunuan dhe u detyruan të punonin në bordelet ushtarake japoneze. Deri më sot, shumë nga të mbijetuarat ende presin kërkim-falje dhe kompensim.
Në videon e tij, Kato e pranon se kjo temë nuk është pjesë e diskutimeve në Japoni: “Fatkeqësisht, këto filma për luftën kundër Japonisë nuk shfaqen publikisht në Japoni, dhe njerëzit nuk janë të interesuar t’i shohin”.
Kur Perandori i Japonisë njoftoi më 15 gusht se vendi do të dorëzohej, Japonia tashmë kishte paguar një çmim të tmerrshëm, mbi 100.000 njerëz ishin vrarë nga bombardimet në Tokio, përpara se dy bomba atomike të shkatërronin Hiroshimën dhe Nagasakin.
Megjithatë, humbja e Japonisë u prit me gëzim në shumë pjesë të Azisë, ku Ushtria Perandorake Japoneze kishte shkaktuar miliona viktima. Për këto vende, 15 gushti përfaqëson si lirinë ashtu edhe plagët e pashëruara - në Korenë e Jugut kjo ditë quhet Gwangbokjeol, që do të thotë “kthimi i dritës”.
“Lufta ushtarake ka përfunduar, por lufta e historisë vazhdon”, thotë profesori Gi-Wook Shin nga Universiteti i Stanfordit, duke shpjeguar se të dyja palët e kujtojnë atë periudhë në mënyra të ndryshme, dhe këto dallime rrisin tensionet. Ndërsa kinezët e shohin agresionin japonez si një moment përcaktues dhe shkatërrues në historinë e tyre, historia japoneze fokusohet më shumë në vuajtjet e veta - shkatërrimin nga bombat atomike dhe periudhën e rimëkëmbjes pas luftës.
“Njerëzit që njoh në Japoni nuk flasin shumë për këtë,” thotë një kinez që ka jetuar 15 vjet në Japoni dhe preferoi të mbetet anonim.
“Ata e shohin si diçka të së kaluarës, dhe vendi nuk e përkujton shumë - sepse edhe e shohin veten si viktima”.
Ai e quan veten patriot, por thotë se kjo nuk e ka vështirësuar jetën e tij në Japoni, sepse njerëzit atje shmangin tema të ndjeshme si kjo.
“Disa besojnë se ushtria japoneze shkoi për të ndihmuar Kinën të ndërtonte një rend të ri dhe konfliktet ndodhën gjatë këtij procesi. Sigurisht, ka edhe nga ata që e pranojnë se ka qenë pushtim”.
Kina luftoi kundër Japonisë për tetë vjet, nga Mançuria në verilindje deri në Chongqing në jugperëndim. Vlerësimet për numrin e kinezëve të vrarë variojnë nga 10 deri në 20 milionë. Ndërkohë, qeveria japoneze thotë se rreth 480.000 ushtarë të saj u vranë gjatë asaj kohe.
Kjo periudhë është dokumentuar mirë në letërsi dhe filma të njohur – madje ka qenë temë kryesore edhe në veprat e fituesit të Çmimit Nobel, Mo Yan.
Tani ajo periudhë po rishikohet nën një regjim që e sheh patriotizmin si pjesë thelbësore të ambicieve të tij: “rilindja kombëtare” është mënyra si presidenti Xi Jinping e përshkruan ëndrrën kineze.

“Nuk jemi miq...”
Ndërkohë që Partia Komuniste censuron ashpër historinë e saj nga masakra e Sheshit Tiananmen e deri te shtypjet më të fundit – ajo inkurajon kujtesën e së kaluarës më të largët, sidomos kur ka të bëjë me një armik të jashtëm.
Xi madje ka ndryshuar edhe datën zyrtare të fillimit të luftës me Japoninë - tani qeveria kineze e llogarit që nga pushtimi i parë i Mançurisë në vitin 1931, duke e bërë një luftë 14-vjeçare në vend të tetë.
Nën drejtimin e tij, Pekini ka filluar të përkujtojë fundin e Luftës së Dytë Botërore me më shumë madhështi. Më 3 shtator – dita kur Japonia u dorëzua zyrtarisht, do të organizohet një paradë e madhe ushtarake në Sheshin Tiananmen.
Po ashtu në shtator pritet të dalë një film shumë i komentuar, që fokusohet te Njësia famëkeqe 731 - një degë e ushtrisë japoneze që kreu eksperimente vdekjeprurëse mbi njerëz në Mançurinë e pushtuar. Data e publikimit është 18 shtator, pikërisht dita kur Japonia kreu sulmin e parë në Mançuri.
Kjo pa përfshirë filmin “Dongji Rescue”, i frymëzuar nga përpjekjet e vërteta të peshkatarëve kinezë që shpëtuan qindra robër britanikë gjatë sulmeve japoneze; si dhe dokumentarin “Mountains and Rivers Bearing Witness”, nga një studio shtetërore, për rezistencën kineze.
Duket se këto produkte kulturore po prekin nerva të ndjeshme.
“Një brez luftoi në emër të tre brezave dhe duroi vuajtje për tre breza. Nderim për dëshmorët”, shkruhet në një koment shumë të pëlqyer në RedNote për filmin “Nanjing Photo Studio”.
“Nuk jemi miq…”, rreshti tashmë i famshëm nga filmi, “nuk është thjesht një replikë” midis dy personazheve kryesorë, thuhet në një recension shumë të ndjekur në Weibo që ka marrë mbi 10.000 pëlqime.
“Ky mesazh vjen edhe nga miliona njerëz të zakonshëm kinezë për Japoninë. Ata kurrë nuk kanë kërkuar falje të sinqertë, ende adhurojnë kriminelët e luftës, po ndryshojnë historinë - askush nuk do t’i konsiderojë si miq”, thotë një koment, duke iu referuar disa figurave të së djathtës ekstreme në Japoni që mohojnë ngjarjet.
Tokio ka kërkuar falje, por shumë kinezë besojnë se ato nuk janë të mjaftueshme dhe të sinqerta.
“Japonia vazhdon të dërgojë mesazhe kontradiktore”, thotë profesori Shin, duke përmendur rastet kur udhëheqësit japonezë kanë bërë deklarata të kundërta për historinë e luftës.
Për vite me radhë, në orët e historisë në Kinë, nxënësve u tregohet një foto e ish-kancelarit të Perëndimit të Gjermanisë, Willy Brandt, duke u lutur në gjunjë para një memoriali për Kryengritjen e Getos së Varshavës në 1970. Kinezët presin një gjest të ngjashëm nga Japonia.
Por më parë nuk ka qenë kështu.
Nacionalizmi në internet
Kur Japonia u dorëzua në 1945, trazirat në Kinë nuk u mbyllën. Për tre vitet pasuese, Kuomintangu - partia në pushtet dhe kryesore në rezistencën kineze kundër Japonisë - luftoi një luftë civile kundër forcave komuniste të Mao Zedongut.
Lufta përfundoi me fitoren e Maos dhe largimin e Kuomintangut në Tajvan. Mao, që kishte prioritet ndërtimin e një shteti komunist, nuk iu përkushtua shumë krimeve të luftës japoneze. Përkujtimet ishin të fokusuar në fitoren e Partisë Komuniste dhe kritikuan Kuomintangun. Ai gjithashtu kërkonte mbështetje nga Japonia në arenën ndërkombëtare. Tokio, madje, ishte një nga fuqitë e para që njohu regjimin e Maos.
Vetëm në vitet 1980 – pas vdekjes së Maos, pushtimi japonez filloi të ndërlidhë sërish marrëdhëniet midis Pekinit dhe Tokios. Në atë kohë, Japonia ishte një aleate e perëndimit dhe një fuqi ekonomike e madhe. Ndryshimet në tekstet shkollore japoneze nisën të shkaktonin debate, me Kinën dhe Korenë e Jugut që akuzonin Japoninë për ngjyrosje të krimeve të saj të luftës. Kina sapo kishte filluar të hapet, ndërsa Koreja po kalonte nga sundimi ushtarak në demokraci.
Ndërsa udhëheqësit kinezë largoheshin nga trashëgimia e Mao-s, trauma nga sulmet japoneze u bë një rrëfim unifikues për Partinë Komuniste, thotë Yinan He, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Lehigh në SHBA.
“Pas Revolucionit Kulturor, shumica e njerëzve në Kinë u zhgënjyen nga komunizmi”, i tha ajo BBC-së. “Kur komunizmi humbi shtrirjen e tij, u desh nacionalizmi. Dhe Japonia është një objektiv i lehtë, sepse është agresori më i fundit i jashtëm”.
Ajo përshkruan një “paraqitje të orkestruar të së kaluarës”, ku përkujtimet e vitit 1945 shpesh minimizojnë rolin e SHBA-së dhe Kuomintangut, dhe shoqërohen me vëmendje gjithnjë e më të madhe ndaj qëndrimit zyrtar të Japonisë mbi veprimet e saj gjatë luftës.
Çfarë nuk ka ndihmuar janë mohimet e krimeve të luftës - figura të rëndësishme të së djathtës japoneze nuk pranojnë se masakra e Nanjingut ka ndodhur, ose që ushtarët japonezë detyruan kaq shumë gra në skllavëri seksuale - si dhe vizitat e fundit të zyrtarëve në Shenjtëroren Yasukuni, ku nderohen të rënët japonezë në luftë, përfshirë edhe kriminelët e luftës të dënuar.
Kjo armiqësi mes Kinës dhe Japonisë është reflektuar edhe në jetën e përditshme, pasi nacionalizmi në internet është rritur shumë - kinezë dhe japonezë janë sulmuar në vendet e njëri-tjetrit. Një nxënës japonez u vra në Shenzhen vitin e kaluar.
Rritja ekonomike e Kinës dhe përpjekjet e saj për të qenë më e fuqishme në rajon dhe më gjerë kanë ndryshuar sërish marrëdhëniet mes dy vendeve. Kina ka tejkaluar Japoninë si fuqi botërore. Koha më e mirë për të kërkuar afërsi - në vitet 1970, kur vendet ishin më afër ka kaluar, thotë profesoresha He.
“Ata thjesht thanë, le ta harrojmë atë, le ta lëmë mënjanë. Ata nuk u përballën kurrë me historinë dhe tani problemi po kthehet sërish për të mos i lënë rehat”.