Botë

Marrëveshja për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi zgjatet për 120 ditë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guaterres, konfirmoi të enjten në llogarinë e tij në Twitter se të gjitha palët pjesëmarrëse në marrëveshjen për drithëra u pajtuan për zgjatjen e kësaj marrëveshjeje.

Ai tha se e mirëpret arritjen e dakordimit të palëve pjesëmarrëse për lehtësimin e eksportit të drithërave dhe prodhimeve të tjera nga Ukraina, përfshirë këtu furnizimet ushqimore të tjera, raportoi CNN. 

Guaterres gjithashtu shtoi se: “Iniciativa demonstron rëndësinë e diplomacisë diskrete në gjetjen e zgjidhjeve të shumanshme”, duke nënvijëzuar këtu rëndësinë e punës së bërë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Ishte paralajmëruar se kjo marrëveshje, e cila për të parën herë u nënshkrua në korrik, ka pasur afat të zgjasë deri të shtunën.

Deklarim për këtë zgjatje afati pati edhe nga Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës, po ashtu në Twitter, ku u shpreh se kjo marrëveshje “do zgjatej për 120 ditë”.

Reagim pati edhe nga ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili të martën shprehu dyshim për të ardhmen që do të ketë marrëveshja.

Megjithëse Rusia një herë tha se do tërhiqej, vetëm pak më herët këtë muaj, ajo iu ribashkua marrëveshjes si palë pjesëmarrëse.

Së bashku, Rusia dhe Ukraina përbëjnë diku një të tretën e eksportit botëror të grurit, dhe se kjo marrëveshje, pra Marrëveshja për drithëra, ka arritur të luaj rol kyç në uljen e çmimeve të drithërave dhe të mirave të tjera në nivel global.