Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lavrovi dyshon se mund të vazhdohet marrëveshja për grurin ukrainas

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka hedhur dyshime mbi të ardhmen e një marrëveshjeje të drithërave të mbështetur nga OKB-ja, duke thënë se ka shumë punë për të bërë para se marrëveshja të rinovohet muajin e ardhshëm.

Marrëveshja i ka lejuar Ukrainës, një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, të eksportojë grurë nga portet e saj të Detit të Zi që nga fillimi i gushtit.

Lavrovi tha se Moska dëshiron që OKB-ja të sigurojë prova se eksportet të cilat do të kalojnë përmes një qendre monitorimi në Stamboll, po drejtohen në vendet më të varfra të botës. Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Moskë të hënën, ai tha se i kishte kërkuar OKB-së të dhëna për destinacionet përfundimtare të grurit.

Lavrovi tha se Rusia e kupton se vendet më të varfra marrin vetëm pesë deri në shtatë për qind të grurit të eksportuar, ndërsa pjesa tjetër shkon në vendet e BE-së.

“Vendet evropiane japin shpjegimin e mëposhtëm: ata thonë, po, ne e marrim pjesën më të madhe të drithit ukrainas, por më pas ky drith shpërndahet në mbarë botën, duke përfshirë edhe vendet më të varfra. Do të doja të kisha një pasqyrë më të qartë, kështu që kërkuam nga sekretariati i OKB-së se kush është i angazhuar në këtë operacion dhe kush i ka të gjitha të dhënat, të japë statistika për lëvizjen e drithit në destinacionin përfundimtar”, tha Lavrovi.

Të dhënat e kërkuara nga OKB-ja do të ndikojnë vendimin e Rusisë nëse do të mbetet marrëveshja e grurit, ka thënë tutje ai.

Edhe Lavrov: Me SHBA-në u diskutua për transportin detar në Detin e Zi Botë Lavrov: Me SHBA-në u diskutua për transportin detar në Detin e Zi

Lavrovi u ankua gjithashtu se pjesa e dytë e marrëveshjes, e cila ka të bëjë me furnizimin me ushqime dhe plehra ruse në tregun botëror “praktikisht nuk zbatohet”. Lavrovi argumentoi se kishte nevojë për përjashtime të qarta ligjore nga sanksionet për kompanitë ruse, si dhe garanci për hyrjen e lirë të anijeve ruse në portet evropiane dhe anijet e huaja në ato ruse. Ai tha se një nga problemet kryesore janë sanksionet e vendosura kundër Bankës Bujqësore Ruse, institucioni kryesor financiar që shërben për furnizimin me plehra dhe grurë në tregjet botërore.

“Ka shumë punë. Marrëveshja skadon në nëntor. Dhe ne vijmë nga fakti se para se të shqyrtohet çështja e zgjatjes së saj, të gjitha çështjet e përmendura do të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme”, tha Lavrov.