Andrija Mandiq është zgjedhur kryeparlamentar i Malit të Zi e njëherit edhe anëtar i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, që komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Mandiq ka marrë mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare - koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.
Parlamenti malazez i ka 81 deputetë.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë u larguan nga salla para votimit. Ata lidhën një fjongo të zezë në mikrofon në emër të, siç thanë, ditës së zezë për demokracinë në Mal të Zi.
Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe - anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) - i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.
“Jeta jonë politike duhet t’i shërbejë drejtësisë dhe të vërtetës. Të gjithë ne na duhet të bëjmë vepra të mira, jo vetëm të shqiptojmë fraza mashtruese. Ajo që unë sinqerisht besoj sot dhe që dua t’i shërbej është vetëm një gjë – pajtimi. Është shumë me rëndësi, pasi shoh se bota është në prag të konfliktit. Prandaj duhet të jemi të bashkuar”, ka thënë Mandiq.
Për shkak të zgjedhjes së Mandiqit, në orën 18:00 në para Kuvendit filloi protesta e organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë të Luçës dhe partitë opozitare.