Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se ekziston një unitet shumë i fortë midis Francës dhe Gjermanisë në përpjekje për të zbutur tensionet mbi krizën në Ukrainë. Ai tha se në rast të një sulmi nga Rusia, përgjigja do të jetë aty dhe kostoja për të do të jetë shumë e lartë.
Kështu është shprehur presidenti francez derisa është deklaruar në një konferencë të përbashkët shtypi në Gjermani me kancelarin Olaf Scholz.
"Ne po përgatisim njëkohësisht reagimin dhe përgjigjen e përbashkët në rast sulmi", theksoi ai, duke pohuar se Perëndimi ishte i bashkuar dhe duke përsëritur thirrjen e tij të përbashkët për një de-përshkallëzim të tensioneve, raporton Euronews.
Macron konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, këtë të premte. Në këtë bisedë ai njoftoi se do të propozojë një hartë rrugore për de-përshkallëzimin gjatë ditëve të ardhshme.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë marrë masa për të mbrojtur furnizimet evropiane me gaz në qoftë se Rusia vendos t'i ndërpresë ato nëse konflikti shpërthen në Ukrainë, tha Uashingtoni të martën.
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë treguar se aleatët perëndimorë janë duke shikuar diversifikimin e furnizimeve nga vendet e tjera dhe se do të kishte pasoja për Rusinë në rast se ajo përdorë “si armë” rrjedhën e gazit.