Botë

Macron: Evropa përballet me kërcënimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore

Emmanuel macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paraqitur planet për rritjen më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se liria e Evropës po përballet me siç ka thënë, kërcënimin më të madh, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në një fjalim para forcave të armatosura në Paris, ai ka theksuar se “po jetojmë në një moment vendimtar” për shkak të gjeopolitikës komplekse, ka raportuar BBC.

Macron ka bërë thirrje që shpenzimet e mbrojtjes të Francës të rriten edhe për 3.5 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe më pas edhe për 3 miliardë euro të tjera në vitin 2027.

Duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës ai i ka dënuar siç ka thënë “politikat imperialiste” dhe “fuqitë aneksuese”.

Lufta në Ukrainë ka shpërthyer që kur Moska nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt të vitit 2022.
Macron u zotua të dyfishojë buxhetin ushtarak të Francës deri në vitin 2027, tre vjet më herët nga kur ishte planifikuar fillimisht.

Në vitin 2017, buxheti i mbrojtjes së Francës ishte 32 miliardë euro dhe, sipas planeve, do të rritet në 64 miliardë euro brenda dy vjetësh. 

Propozimet e Macronit duhet të miratohen nga qeveria franceze.