Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është duke zhvilluar një bisedë me homologun e tij nga Rusia, Vladimir Putin, mbi atë që shihet si një përpjekje diplomatike e minutës së fundit për të shmangur një pushtim rus të Ukrainës.
Kjo bisedë që po bëhet përmes telefonit, vjen pasi tensionet kanë arritur pikën e tyre më të lartë në disa vjet në lindje të Ukrainës, mes një dhune gjatë fundjavës që ka përforcuar shqetësimin e Perëndimit se Rusia mund të kërkojë një pretekst për të pushtuar fqinjin e saj.
Ushtritë ruse dhe bjelloruse do të përfundonin stërvitjet e përbashkëta ushtarake në Bjellorusi të dielën. Megjithatë, ministria e mbrojtjes në Minsk ka thënë se stërvitjet tani do të vazhdojnë për shkak të tensioneve të rënduara në Ukrainën fqinje.
Stërvitjet filluan më 10 shkurt, duke shtuar frikën perëndimore mbi synimet e Moskës. Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa përgjatë kufirit ukrainas, por mohon se planifikon të pushtojë.
Telefonata e Macron me Putinin, filloi siç ishte planifikuar në orën 11.00, konfirmon Elysée. Zyra e presidentit francez e përshkroi atë si një nga "përpjekjet e fundit të mundshme dhe të nevojshme për të shmangur një konflikt të madh në Ukrainë", raporton “Euronews”.