Njëmbëdhjetë nga 17 rezervuarët e ujit në Kaliforni tani janë mbi mesataren pas tre vjetësh thatësi ekstreme që gati sa nuk shteri këta rezervuarë.
Nivelet e rezervuarit tani janë 7 për qind mbi mesataren.
Liqeni Oroville, rezervuari i dytë më i madh pas liqenit Shasta, është 16 për qind mbi mesataren pas një periudhe kur niveli i ujit kishte rënë aq poshtë sa penda hidroelektrike nuk prodhonte më energji.
Menaxherët tani po lirojnë ujin nga penda në Oronvill, e cila është rindërtuar pasi një pjesë u shkatërrua gjatë vitit 2017, duke detyruar evakuimin e më shumë se 180 mijë banorëve që jetonin poshtë rrjedhës së lumit Feather.
Në fund të vitit të kaluar, pothuajse krejt Kalifornia ishte tharë në nivele ekstreme.
Edhe
Më shumë se 9 mijë banorë të Kalifornisë evakuohen shkaku i përmbytjeve
Niveli kishte rënë aq shumë sa qytetarët në Kaliforni u kufizuan në përdorimin e ujit.
Mirëpo sivjet pamja ka ndryshuar krejtësisht kur Kalifornia u përball me të ashtuquajturit “lumenj atmosferikë” që shkaktuan përmbytje në qytetet e Kalifornisë.
Karla Nemeth, drejtoreshë e departamentit të Kalifornisë për burimet e ujit, thotë se tani ka ujë me tepricë.
“Ka rënë borë në pjesën qendrore dhe jugore të Sierras. Rezervuarët janë plot. Kemi liruar ujë për të krijuar hapësirë për borën që do të shkrihet. Po lirohet ujë nga liqenet dhe rezervuarët po duken mirë”.
Reshjet e shumta kanë shtyrë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, të heqë disa nga kufizimet e shtetit për ujin dhe të ndalojë së kërkuari nga njerëzit që vullnetarisht ta reduktojnë përdorimin e ujit me 15 për qind.
Newsom nuk e ka deklaruar thatësirën të mbaruar, sepse ka ende mungesë uji në Kaliforninë Jugore që mbështetet në lumin Kolorado që po përballet me thatësinë.
Qytetet dhe rrethet e ujitjes që ofrojnë ujë për fermat do të furnizohen me ujë nga Projekti Central Valley, rrjet rezervuarësh dhe kanalesh që furnizojnë me ujë gjithë Kaliforninë.
Edhe
Lumenjtë e botës po thahen, ja si duken gjashtë prej tyre
Zyrtarët shtetërorë po i paralajmërojnë banorët që të mos lejojnë që bollëku aktual i ujit t’i nxisë ata ta keqpërdorin ujin.
Në epokën e ndryshimeve klimatike, një vit jashtëzakonisht i lagësht mund të pasohet nga disa vite të thata, duke e kthyer përsëri thatësinë.