Ligjërisht, i gjithë uji në Kaliforni është pronë e Qeverisë. Mirëpo fermerët kanë “të drejta uji” që i lejojnë ta përdorin atë për bujqësi. Fermerët i kanë përdorur ato të drejta – të qeverisura nga një sistem i ndërlikuar i bazuar në vjetërsinë dhe në faktorë të tjerë – për ta kthyer Luginën Qendrore të Kalifornisë në një central elektrik bujqësor që siguron shumë nga frutat, perimet dhe arroret e vendit
Pas dekada luftimesh me fermerët në gjykatë se sa ujë mund të marrin nga lumenjtë dhe përrenjtë e Kalifornisë, disa ligjvënës shtetërorë duan të provojnë diçka ndryshe: t’i përdorin paratë e taksapaguesve për t’i blerë fermerët.
Një propozim në Senatin e shtetit që do të shpenzonte deri në 1.5 miliardë dollarë për t’i blerë “të drejtat e ujit” do t’i lejojë fermerët të marrin aq ujë sa u nevojitet nga lumenjtë dhe përrenjtë e shtetit për të mbjellat e tyre. Nëse zyrtarët shtetërorë do t’i kishin këto të drejta, mund ta linin ujin në rrjedhë që të përfitonin speciet e rrezikuara të salmonit dhe peshqve të tjerë.
Sistem i komplikuar
Kalifornia ka qenë në thatësirë për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, duke nxitur shqyrtim intensiv të sistemit kompleks të ujit të shtetit dhe se si mund të modifikohet për të siguruar furnizime të qëndrueshme gjatë periudhave jashtëzakonisht të thata – duke përfshirë një propozim të veçantë shtetëror që do t’i paguante fermerët t’i rrisnin disa kultura për ta kursyer ujin.
Të dhënat aktuale tregojnë se rreth 98% e shtetit ka kushte të rënda thatësire, ndërkohë që Kalifornia shkon në muajt e verës që rrallë sjellin reshje të konsiderueshme. Shumë zona kanë filluar ta kufizojnë përdorimin e ujit për pronarët e shtëpive, kryesisht duke reduktuar përdorimin e jashtëm, siç është ujitja e lëndinës.
Fermerëve u është ulur ndarja e tyre nga dy sistemet kryesore të ujit në pronësi shtetërore – në disa raste deri në zero.
Ligjërisht i gjithë uji në Kaliforni është pronë e Qeverisë. Mirëpo fermerët kanë “të drejta uji” që i lejojnë ta përdorin atë për bujqësi. Fermerët i kanë përdorur ato të drejta – të qeverisura nga një sistem i ndërlikuar i bazuar në vjetërsinë dhe në faktorë të tjerë – për ta kthyer Luginën Qendrore të Kalifornisë në një central elektrik bujqësor që siguron shumë nga frutat, perimet dhe arroret e vendit.

Beteja e bujqve
Mirëpo nxjerrja e gjithë atij uji, po ashtu, ka prishur ekosistemin e brishtë të deltës së lumit San Joauqin/Sacramento, grykëderdhja më e madhe në Bregun Perëndimor, si dhe vendin e peshqve të rrezikuar. Grupet mjedisore dhe fermerët kanë luftuar për vite me radhë mbi rregullat shtetërore dhe federale që rregullojnë se sa ujë mund të devijohet për bujqësinë, e cila përdor më shumë ujë se çdo sektor tjetër i ekonomisë.
Tani, me Kaliforninë që ka një suficit buxhetor rekord prej afro 100 miliardë dollarësh, demokratët në Senatin e shtetit kanë propozuar përdorimin e deri në 1.5 miliardë dollarë për të blerë të drejtat e ujit – ose duke blerë tokën që lidhet me të drejtat, duke blerë vetëm të drejtën vetë, ose duke vendosur servitut në tokë që kërkon që uji të përdoret për peshq, faunë e florë.
Propozimi është pjesë e negociatave të buxhetit midis ligjvënësve dhe administratës së guvernatorit Gavin Newsom, që duhet të përfundojnë deri në fund të këtij muaji.
“Është sikur po marrim një hise nga Amerika e korporatave dhe po blejmë mbrapsht aksione”, ka thënë senatori i shtetit, Bob Wieckowski, demokrat që përfaqëson zonën e gjirit të San Franciskos dhe është kryetar i një nënkomiteti buxhetor që mbikëqyr shpenzimet mjedisore.
Edhe pse 1.5 miliardë dollarë tingëllojnë si shumë para, nuk janë të mjaftueshme për të blerë shumë ujë. Rregullatorët e matin ujin me “acre foot”, të përcaktuar si ujë të mjaftueshëm për të mbuluar 1 hektar tokë deri në një thellësi prej 30 centimetrash. Kjo është e barabartë me 1.2 milionë litra.
Ndryshimi i rregullave
Tani për tani, e vetmja mënyrë për të marrë më shumë ujë që rrjedh në lumenj dhe përrenj është që të detyrohen rregullatorët shtetërorë dhe ata federalë t’i ndryshojnë rregullat. Ata mund ta bëjnë këtë duke kërkuar që më shumë ujë të mbetet në lumenj dhe përrenj, ama kjo nënkupton se do të ketë më pak ujë për fermerët. Këto ndryshime rregullash shpesh nxisin padi, të cilat mund të zgjasin një dekadë ose më shumë për t’u zgjidhur, ka bërë të ditur Lester Snow, ish-sekretar i Agjencisë së Burimeve Natyrore të Kalifornisë dhe drejtor rajonal i Byrosë së Rindërtimit të SHBA-së.
“Kemi nevojë për të ndërmarrë veprime shumë më të shpejta. Dhe mendoj se marrja e të drejtave të ujit për këtë qëllim është një nga mënyrat për ta bërë këtë”, ka theksuar ai. “Me ndryshimin e klimës, thjesht nuk e kemi më atë lloj kohe”.
Që kjo të funksionojë, fermerët do të duhet të shesin vullnetarisht të drejtat e tyre të vlefshme të ujit - diçka që Birmingham thotë se nuk duhet të jetë problem. Shumë fermerë përpiqen të shesin të drejtat e tyre të ujit në Westlands Water District çdo vit, ka bërë të ditur Birmingham.
“Për shumë fermerë ... fëmijët e tyre thjesht nuk janë të interesuar të vazhdojnë të merren me ferma”.
Mirëpo senatori i shtetit, Brian Dahle, republikan që kandidon për guvernator, familja e të cilit ka punuar në Kaliforni për 92 vjet, ka treguar se e vetmja arsye pse fermerët do të ishin të gatshëm të shesin është, sepse zyrtarët e shtetit po i dëbojnë ata nga biznesi me rregulla të rënda.
“Kjo ma vlon gjakun. Është qesharake”, u tha Dahle kolegëve të tij gjatë një seance legjislative mbi propozimin. “Ju po i shtyni ata në një cep ku nuk kanë zgjidhje tjetër”.
Përktheu: Blerta Haxhiu