Forcat izraelite luftuan kundër militantëve të Hamasit në të gjithë Gazën të mërkurën, pasi zgjeruan ofensivën e tyre tokësore, duke zvogëluar më tej zonën ku palestinezët mund të kërkojnë siguri dhe duke ndaluar shpërndarjen e ndihmave jetike në pjesën më të madhe të territorit.
Sulmi në jug kërcënon zhvendosje të mëtejshme masive brenda enklavës bregdetare të rrethuar, ku OKB-ja thotë se rreth 1.87 milionë njerëz - mbi 80% e popullsisë - tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Pjesa më e madhe e veriut, duke përfshirë pjesë të mëdha të qytetit të Gazës, është shkatërruar plotësisht dhe palestinezët kanë frikë se pjesa tjetër e Gazës mund të pësojë një fat të ngjashëm pasi Izraeli përpiqet ta shkatërrojë Hamasin, organizatë që sundon këtë territor për 16 vjet.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se nuk mund të pranojnë më një prani ushtarake të Hamasit në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, pas të cilit nisi lufta.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli do të mbajë kontroll të pafund të sigurisë mbi territorin dhe kjo gjë po kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare.
Ushtria izraelite ka njoftuar të martën se trupat e saj ishin “në zemër” të qytetit jugor të Khan Younisit pas asaj që e përshkroi si “ditën më intensive” të luftimeve që nga fillimi i operacionit tokësor pesë javë më parë, me beteja të rënda edhe në veri./AP