Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kievi nën shpërthime masive

23:55- Një shpërthim i madh ka ndodhur në minutat e parë të së dielës në jugperëndim të Kievit, ka raportuar CNN.

Shpërthimi ka ndodhur rreth 20 kilometra larg qendrës së kryeqytetit ukrainas.

Sipas raportimit, qielli ka mbetur i ndritur për disa minuta.


23:12 - Perëndimi përjashton pjesërisht Rusinë nga SWIFT-i

Aleatët perëndimorë kanë rënë dakord për sanksione të reja financiare kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe SHBA-ja do të largojnë banka të caktuara ruse nga SWIFT.

Edhe Evakuim i pjesshëm pas sulmeve në një bazë ushtarake pranë Shën Petersburgut Botë 1 muaj më parë Evakuim i pjesshëm pas sulmeve në një bazë ushtarake pranë Shën Petersburgut

"Kjo do t'i ndalojë ata të veprojnë në mbarë botën dhe do të bllokojë në mënyrë efektive eksportet dhe importet ruse", thuhet në deklaratën e përbashkët të aleatëve perëndimorë.

Tekst i 27 janarit, 2022 - Cilës armë i frikësohet më së shumti Rusia

Disa e konsiderojnë “opsion bërthamor”. Teksa Perëndimi po kërcënon Rusinë me pako të paprecedentë sanksionesh si përpjekje për të parandaluar Vladimir Putinin nga pushtimi i Ukrainës, ekziston një masë që fut frikën në zemër të Kremlinit: Heqja e shtetit nga sistemi bankar botëror.

Ligjvënësit amerikanë kanë sugjeruar javëve të fundit që Rusia të largohet nga SWIF-i, rrjet i lartë i sigurisë që lidh mijëra institucione financiare në gjithë botën.

Ligjvënësit rusë janë përgjigjur duke thënë se do ndalet furnizimi i vajrave, gazit e metaleve drejt Evropës nëse kjo do të ndodhte.

“Nëse Rusia largohet nga SWIFT-i, ne nuk do të pranonim asnjë valutë të huaj, por blerësit, shtetet evropiane në radhë të parë, s’do të furnizoheshin me mallra tona – produkte të rëndësishme”, ka thënë të martën zëvendëspresidenti i Dhomës së Lartë të Parlamentit në Rusi, Nikolai Zhuravlev.

Sistemi ndërkombëtar i transferimeve bankare (SWIFT) u themelua më 1973 për të zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga më shumë se 11 mijë institucione financiare për të dërguar mesazhe dhe porosi të sigurta të pagesave.

Pasi që s’ekziston asnjë alternativë tjetër e pranueshme në gjithë botën, është esenciale për sistemin financiar botëror.

Largimi i Rusisë nga SWIFT-i do ta bënte gati të pamundshme që institucionet financiare të dërgonin para brenda apo jashtë shtetit, duke shkatërruar kompanitë ruse dhe eksportet e tyre.

Qe disa vjet ka pasur analiza se çka do të ndodhte po që se shfrytëzohet ky opsion. Përjashtimi i Rusisë nga SWIFT-i do të shkaktonte tkurrje ekonomike për Rusinë prej 5 për qind, kishte paralajmëruar ish-ministri i Financave të Rusisë, Alexei Kudrin.

SWIFT-i është me bazë në Belgjikë dhe qeveriset nga një bord prej 25 personash. SWIFT-i e konsideron veten shërbim neutral që është në përputhje me ligjin belg dhe duhet t’u përshtatet rregullave të BE-së.

Ka një precedent për largimin e një shteti nga SWIFT-i. Bankat iraniane ishin hequr më 2012, pasi BE-ja i vuri sanksione shtetit për shkak të programit të bombës bërthamore. Irani humbi gjysmën e të hyrave nga eksporti.

S’është e qartë se sa ka përkrahje SHBA-ja për këtë masë ndaj Rusisë, por vetë SHBA-ja konsiderohet se është shteti që mund të humbë më së shumti nëse Rusia hiqet nga SWIFT-i sepse bankat e saj janë përdoruesit më të shpeshtë të SWIFT-it për të komunikuar me bankat ruse.

Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar sanksionet e mundshme, ndërsa BE-ja ka thënë se do t’i përgjigjej një pushtimi të mundshëm të Ukrainës nga Rusia “me sanksione që s’janë parë kurrë më herët”.


23:10 - Kryeministri ukrainas akuzon Rusinë për krime lufte

Denys Shmyhal, kryeministri i Ukrainës, akuzoi Rusinë për krime lufte dhe shënjestrim të objektivave civile dhe tha se Moska do të përballet me një "gjykatë ushtarake”.

Gjatë një konference për shtyp të shtunën, Shmyhal tha se Rusia bombardoi kopshtet e fëmijëve, blloqet e banimit dhe autobusët me fëmijë.

“Për këto krime, komanda ruse me siguri do të dërgohet gjykatën ushtarake. Armiku me siguri do të dënohet për vrasjen e fëmijëve ukrainas. Ukraina nuk do t'i falë ata për këtë", tha Shmyhal.


22:40 - Zelensky kërkon që Zvicra të jetë ndërmjetësuese e bisedimeve me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga homologu i tij zviceran të shtunën që të shërbejë si ndërmjetës neutral në mes të Ukrainës dhe Rusisë dhe të ndihmojë në gjetjen e gjuhës për armëpushim mes dy shteteve, ka raportuar gazeta e njohur zvicerane “Tages Angeizer”.

Kërkesa presidentit zviceran Ignazio Cassis i është bërë për takimin e ardhshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut që do të nisë të hënën në Gjenevë, e në të cilën është planifikuar që ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov të marrë pjesë të martën.


22:30 - Sërish orë të rënda në Ukrainë, paralajmërohen sulme masive ajrore

Gazetarë kredibilë nga e gjithë bota e që po raportojnë nga Kievi kanë raportuar se po pritet një sulm masiv ajror në Kiev.

Teksa në Ukrainë është gati mesnata, qytetarët janë këshilluar të sigurohen e të presin orë të rënda.


22:17 - Ndizen sirenat për sulmet ajrore në Kiev

Sirenat për sulme ajrore kanë nisur në Kiev ndërsa qyteti po përgatitet për një natë tjetër sulmesh ruse.


21:35 - Franca ndihmon Ukrainën

Franca do të dërgojë armë të mbrojtjes dhe karburant në Ukrainë.


21:11 - Anëtarët e BE-së takohen nesër

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së do të mbajnë takim virtual të dielën nga ora 18:00 për të diskutuar ndihmën e mëtejshme për ushtrinë e Ukrainës.

"Unë do të propozoj një paketë ndihme urgjente për forcat e armatosura të Ukrainës, për t'i mbështetur ato në luftën e tyre heroike", ka shkruar Josep Borrell në Twitter. 


20:47 - NATO: Rusia po mashtron, ka probleme me karburant

Një zyrtar i NATO-s ka thënë se Rusia po e mbulon avancimin e ngadalshëm të planit për pushtim të Ukrainës me “ndalimin për t’u dhënë kohë negociatave”.


20:32 - Trupat ruse po i afrohen centralit bërthamor në Zaporizhzhia

Trupat ruse po i afrohen centralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia dhe kanë drejtuar raketat e tyre në atë vend, tha të shtunën Vadym Denysenko, një këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

Fabrika Zaporizhzhia, më e madhja në Evropë, ndodhet në juglindje të Ukrainës. Rusia tashmë ka marrë nën kontroll fabrikën e Chernobylit, rreth 100 km në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.


19:48 - Zelensky: Bota po e përkrah Ukrainën me SWIFT

Zelensky e konsideron “fitore të madhe” vendimin e Perëndimit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se është arritur konsensusi për kufizimet në SWIFT për Rusinë.

Në një deklaratë për media të shtunën në mbrëmje, lideri ukrainas ka thënë se “po ndjejmë se Ukraina ka marrë përkrahjen e botës së civilizuar”.

“Rezultati praktik? SWIFT”, ka thënë ai.

Ai e ka cilësuar këtë si “fitore të rëndësishme” dhe se “Rusia do të humbë miliarda e miliarda”.

“Është çmim për pushtimin tinëzar të shtetit tonë”, ka deklaruar Zelensky.

Disa shtete të fuqishme perëndimore kanë përkrahur përjashtimin e Rusisë nga SWIFT-i, ndërsa ende s’ka një vendim final.

Çka do të thoshte një largim i Rusisë prej rrjetit botëror të transaksioneve të bankave.


19:37 - Biden: Putinit po i kthehet keq ajo që e synonte

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një intervistë të incizuar e që u publikua të shtunën, ka thënë se një nga qëllimet e tij madhore pasi Rusia pushtoi Ukrainën është të mbajë të bashkuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Qëllimi im që nga fillimi ka qenë që të sigurohem se i mbaj NATO-n dhe BE-në në të njëjtën anë. Sepse një gjë që mendoj se Putini e kishte menduar dhe synuar ishte ta përçante NATO-n, duke krijuar një të çarë që të ecën në të. Dhe kjo s’ka ndodhur”, ka thënë Bideni në intervistë në podcastin e Brian Tyler Cohenit.

Bideni ka parashikuar se Rusia do të paguajë çmim të lartë dhe afatgjatë për pushtimin e Ukrainës, duke shtuar se lufta ka afruar edhe më shumë Evropën e NATO-n.

“Atij po i kthehet me efekt të kundërt ajo që e synonte”, ka thënë Bideni për Putinin.

Kur është pyetur për sanksionet, Bideni ka thënë se ka pak opsione.

“Janë dy, ose të niset lufta e tretë botërore fizikisht, ose të sigurohemi se shteti që shkel të drejtën ndërkombëtare të paguajë ashpër për të”, ka shtuar Bideni.


19:31 - Gjermania furnizon me armatim Ukrainën

Gjermania do të dërgojë 1000 predha kundër tankeve dhe 500 raketa tokë-ajër "Stinger" në Ukrainë, konfirmoi qeveria në Berlin.


19:19 - Komandantët rusë të nervozuar nga avancimi i ngadaltë, thotë zyrtari amerikan

Komandantët rusë po bëhen gjithnjë e më të nervozuar nga ngadalësimi i avancimit të tyre përmes Ukrainës dhe po fillojnë të përballen me probleme logjistike, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.


19:12 - CNN sheh në Ukrainë hedhësin rus të bombave me vakum

Hedhësi i raketave termobarike ruse është parë nga ekipi i CNN në jug të Belgorodit, Rusi, afër kufirit me Ukrainën pasditen e së shtunës.


18:52 - Rusia paralajmëron “aksidente e viktima” pas përfshirjes së civilëve në mbrojtje të Ukrainës

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka kritikuar Qeverinë ukrainase për dhënien e armëve civilëve, duke thënë se kjo do të çojë pashmangshëm në “aksidente e viktima”.

“Regjimi nacionalist në Kiev po shpërndan masivisisht dhe në mënyrë të pakontrolluar armë të vogla automatike, granatahedhës dhe municione për banorët e vendbanimeve ukrainase”, ka thënë Igor KOnashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi të shtunën. “Përfshirja e popullsisë civile nga nacionalistët në veprime ushtarake çon pashmangshëm në aksidente e viktima”.

Për dallim nga deklarata e rusëve, dëshmitë tregojnë se edhe civilët janë nën sulm të ushtrisë ruse. Janë gjuajtur ndërtesa banimi e çerdhe, civilë janë vrarë e janë gjetur raketa në rrugët e mbushura me qytetarë.


18:52 - Gjermania mbështet largimin e Rusisë nga Swifti, por me kufizime

Gjermania ka mbështetur largimin e Rusisë nga sistemi i pagesave Swift, por me kufizime, për siç thonë ata, “të prekë vetëm njerëzit e duhur”.


18:22 - Belgjika do të furnizojë Ukrainën me 2000 mitralozë e 3800 ton karburant

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, tha se një "analizë më e thellë" e kërkesave të Ukrainës është në proces për t'u shqyrtuar. 


18:15 - Nata nis me kolona të gjata tankesh në drejtim të Ukrainës

Një kolonë e gjatë e tankeve është parë duke lëvizur në drejtim të kufirit afër Kharkivit në Ukrainë, në një video-lidhje direkte të CNN-it.

Nata në Rusi e Ukrainë ka nisur me lëvizjen e madhe ushtarake ruse në drejtim të qendrave të mëdha ukrainase.

Zyrtarët kanë paralajmëruar për një “betejë të gjatë” përpara në kryeqytet. Kievi tashmë ka hyrë në orë policore.

 

 


17:58 - Gjermania heq bllokimin e dërgimit të armëve në Ukrainë

Gjermania ka pranuar të dorëzojë armë vdekjeprurëse gjermane në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta.


17:49 - Shkatërrohen linjat hekurudhore që lidhin Ukrainën me Rusinë

Shërbimi hekurudhor shtetëror njoftoi se të gjitha binarët hekurudhor nga Rusia në Ukrainë janë hedhur në erë nga forcat e armatosura ukrainase.


17:33 - Qyteti ukrainas mbushet nga vullnetarët që duan të pajisen me armë

Qyteti i vogël i Vinnytsias në Ukrainë është mbushur ditëve të fundit me vullnetarët që presin në radhë për t’u pajisur me armë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka publikuar të shtunën një video në të cilën shihet turma e madhe e qytetarëve që donin të pajiseshin me armë, pas pushtimit nga Rusia.

“Pushtuesit rusë nuk e kuptojnë që kur Ukrainasit sulmohen – ata vrapojnë. Por vrapojnë në drejtim të armikut, e jo të ikin nga ai. Bashkë do të fitojmë. Lavdi Ukrainës”, thuhet në përshkrim të videos.

Ukraina ua ka mundësuar të gjithë qytetarëve që duan të pajisen me armë të marrin nga një të tillë falas.

Inteligjenca britanike pak më herët raportoi për rezistencë të jashtëzakonshme të ukrainasve ndaj pushtimit rus.

 
Добровольці Вінничина

#stoprussia Добровольці. Вінничина. Це тільки одне маленьке містечко. А так по всій Україні. Російські окупанти не розуміють, що коли українців б’ють - вони біжать. АЛЕ БІЖАТЬ НА ВОРОГА, а не від нього. Разом переможемо! Слава Україні і його народу! Ворог витрачає останні резерви, а Україна сильнішає.

Posted by Генеральний штаб ЗСУ / General Staff of the Armed Forces of Ukraine on Saturday, February 26, 2022

16:52 - Dy të vrarë nga goditja me raketë e ndërtesës në Kiev

Dy persona kanë mbetur të vdekur nga goditja me raketë e një ndërtese në Kiev paraditen e sotme, raporton BBC. 

Shërbimet e Emergjencës kanë konfirmuar se gjashtë persona të tjerë janë duke marrë trajtim mjekësore.   


16:43 - Avancimi i Rusisë është ngadalësuar, sipas inteligjencës britanike

Përparimi rus në Ukrainë është ngadalësuar përkohësisht, ndoshta për shkak të problemeve logjistike dhe rezistencës së fortë ukrainase, ka thënë të shtunën Ministria e Mbrojtjes e Britanisë, pas informacioneve që ka marrë nga inteligjenca britanike.

Forca ruse po kalojnë lehtësisht popullatën civile, por po i lejojnë forcat ukrainase që t’i rrethojnë dhe t’i izolojnë ata, sipas inteligjencës britanike.

Inteligjenca thotë se përplasjet e natës në Kiev kanë ardhur pasi ka të ngjarë të kenë përfshirë një numër të kufizuar grupesh sabotazhi të pozicionuara paraprakisht.

Pushtimi i Kievit mbetet objektivi i forcave ruse.  


16:31 - SHBA-ja thotë se Putini ka futur gjysmën e fuqisë ushtarake në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka përfshirë më shumë se gjysmën e fuqisë ushtarake ruse për pushtimin e Ukrainës, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtari ka thënë se tani Putinit i duhet t’i mbajë shërbimet e ushtrisë së tij.

“Nuk e di në ndarjen e njësive se çka ka. Ajo që mund të themi sigurt është se e ka përfshirë më shumë se 50 për qind të forcës brenda Ukrainës”, ka thënë ky zyrtar.


16:24 - Hakohen kanalet televizive ruse, lëshohen këngë ukrainase

Agjencia e telekomunikacioneve të Ukrainës njoftoi se faqja e rregullatorit të medias ruse ishte e mbyllur dhe se kanalet televizive ruse satelitore ishin hakuar për të transmetuar këngë ukrainase. Gjithashtu, uebsajti i Kremlinit momentalisht është jashtë funksionit.

“Më shumë se 6 uebsajte të qeverisë ruse nuk funksionojnë”, thuhet tutje në njoftim.

Grupi i famshëm i sulmeve kibernetike "Anonymous" e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. 


16:16 - Ushtarët çeçenë i bashkohen Rusisë për pushtimin e Ukrainës

Udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, thotë se ka dislokuar luftëtarët e tij në Ukrainë për t'u bashkuar në betejë me trupat ruse.


16:09 - Edhe katër vende ndalojnë hapësirën ajrore për linjat ruse

Estonia, Rumania, Lituania dhe Letonisë kanë ndaluar linjat ajrore ruse nga hapësira e tyre, njoftuan vendet të shtunën.  


15:29 - Ukraina thotë se ka rrëzuar pranë Kiveit një avion rus me parashutistë

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se ka rrëzuar pranë Kievit një avion transportues, duke vrarë një numër të madh parashutistësh rusë.

Ministria e Mbrojtjes në Kiev shkroi në një postim në Facebook se avionët luftarakë ukrainas Su-27 kapën një transportues trupash rus IL-76 MD rreth orës 00:30 me orën lokale të shtunën teksa po përpiqej të zbarkonte parashutistët në rajonin e Kievit.

Sipas specifikimeve të lëshuara nga prodhuesi, avioni mund të transportojë deri në 167 ushtarë, si dhe një ekuipazh prej 6-7 personash.

“Kjo është hakmarrje për Luhansk 2014”, shkroi në Facebook komandanti i ushtrisë së Ukrainës, gjenerallejtënant Valery Zaluzhny, duke iu referuar rrëzimit të një avioni ukrainas tetë vjet më parë, i cili vrau 40 parashutistë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit.

Zëdhënësi ushtarak rus Gjeneral Major, Igor Konashenkov pretendoi të shtunën se Moska nuk ka pësuar ende viktima gjatë pushtimit.


15:18 - Ukraina mohon pretendimet e Kremlinit se ka refuzuar negociatat

Ukraina ka mohuar të ketë refuzuar negociatat me Rusinë, ashtu si pretendoi Kremlini të shtunën.

Zyra e presidentit Volodymyr Zelensky, ka thënë se është e pavërtetë dhe se Rusia ka paraqitur “kushte të papranueshme dhe kërkesë për ultimatum”.

Sekretari i presidentit rus, Dmitry Peskov ka thënë se Putini ka urdhëruar ndaljen e avancimit rus por pasi Ukraina ka refuzuar negociatat, ka nisur sërish sulmet.

“Ukraina sigurisht nuk ka refuzuar negociatat. Negociatat nuk kanë ndodhur ende. Ukraina dhe presidenti Zelensky kategorikisht heq dorë nga çdo kusht i papranueshëm apo kërkesë për ultimatum nga pala ruse”, tha zyra.


15:03 - Ministri ukrainas: Propaganda ruse ka dalë nga binarët, nuk kemi armë bërthamore

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka mohuar deklaratat ruse se Ukraina po përgatitet të hedhë bombë atomike në territorin rus.

Kuleba përmes një statusi në Twitter ka thënë se ky është një lajm i rrejshëm, sepse siç ka thënë, Ukraina nuk ka armë bërthamore.

“Propaganda ruse ka dalë nga binarët dhe spekulon se Ukraina mund të përgatitet të hedhë një ‘bombë të pistë’ në territorin rus. Kjo është një shpifje e sëmurë. Ukraina nuk ka armë bërthamore, nuk kryen asnjë punë për t'i krijuar apo fituar ato. Ne jemi një anëtar përgjegjës i NPT-së”, ka shkruar Kuleba në Twitter.


14:46 - Hungaria mbështet të gjitha sanksionet kundër Rusisë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se mbështet të gjitha sanksionet kundër Rusisë dhe nuk do të bllokojë asnjë.

Duke folur për kufirin Ukrainë-Hungari, ai tha se mbështet përpjekjet për paqe.

“Hungaria e ka bërë të qartë se do t’i mbështesë të gjitha sanksionet, kështu që nuk do të bllokojmë, ashtu që për çfarë ministrat e BE-së janë në pajtueshmëri, ne i pranojmë dhe i mbështesim”, ka thënë ai, raportoi Reuters.

Hungaria u pajtua edhe me bllokimin e Rusisë për sistemin e pagesave Swift. Orban më herët është konsideruar si aleat i afërt me Putinin.


14:17 - Rusia ndalon fluturimet nga transportuesit bullgarë, polakë dhe çekë

Autoriteti rus i Aviacionit Civil ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për fluturimet nga transportuesit ose avionët e regjistruar në Bullgari, Poloni dhe Republikën Çeke.

Edhe Rusia kërcënon Kievin me sulme të reja, u bën thirrje shtetasve të huaj ta lëshojnë atë Botë 1 muaj më parë Rusia kërcënon Kievin me sulme të reja, u bën thirrje shtetasve të huaj ta lëshojnë atë

14:14 - Kremlini urdhëroi ndaljen e sulmeve, por me refuzimin e negociatave urdhëroi rinisjen

Kremlini ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ndaljen e ofensivës në Ukrainë të premten, duke pritur negociatat me Volodymyr Zelenskyn, por u ka thënë që të vazhdojnë kur kjo nuk ka ndodhur.

Zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se operacioni u rikthye të shtunën pasi lidershipi ukrainas refuzoi negociatat, sipas Reutersit.


13:35 - Shkëputja e Rusisë nga SWIFT-i është çështje ditësh, konfirmon zyrtari evropian

Një vendim për të shkëputur Rusinë nga sistemi global i pagesave SËIFT do të merret brenda disa ditësh, ka thënë të shtunën për Reuters, guvernatori i një banke qendrore brenda zonës euro.

“SWIFT-i është vetëm çështje kohe, shumë pak kohë, ndoshta çështje ditësh”, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore, i cili kërkoi të mos i përmendet emri.

“A është e mjaftueshme? Jo. A është e nevojshme? Absolutisht. Sanksionet kanë kuptim vetëm nëse ka kosto për të dyja palët dhe kjo do të jetë e kushtueshme”, ka shtuar ai.

13:20 - Zonat në Ukrainë të cilat janë marrë nën kontrollin rus

Instituti për Studime të Luftës ka publikuar së fundmi një hartë me zonat e Ukrainës të cilat tashmë i kontrollon Rusia.

BBC-ja e ka publikuar hartën ku shihen disa pjesë në veri të Ukrainës, afër kryeqytetit Kiev e po ashtu disa të tjera në verilindje të cilat po kontrollohen nga rusët.

Ndërkohë, Krimea që ndodhet në jug të Ukrainës është aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Image

13:14 - Zelensky: Rusët planifikuan kapjen time gjatë natës, por forcat tona e ndaluan

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur në një video-adresim, duke thënë se forcat e vendit të tij kanë ndaluar një plan rus për ta kapur atë brenda natës dhe për të instaluar liderin e tyre rus.

Ai gjithashtu u bëri thirrje rusëve që të bëjnë presion ndaj presidentit Vladimir Putin për të ndaluar pushtimin.

"Ne e kemi prishur planin e tyre", tha Zelensky.


13:11 - Kievi fut në fuqi orën policore

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar se nga ora 17:00 deri në 08:00 qyteti do të mbyllet për lëvizje.

Masa do të hyjë në fuqi nga sot dhe zëvendëson një shtetrrethim të mëhershëm që ishte nga ora 10:00 deri në 07:00.

Ai paralajmëroi: “Të gjithë civilët në rrugë gjatë orës policore do të konsiderohen pjesëtarë të armikut”.


13:06 - Rusia vendos automjete të rënda në kufirin me Ukrainën – TOS-1

CNN-i ka postuar pamje nga brenda Rusisë të një sistemi të rëndë flakëhedhës T0S-1 duke u vendosur drejt kufirit me Ukrainën në një kamion të madh.

TOs-1 është një sistem raketor i montuar në tanke, i cili lëshon raketa termobarike dhe u përdor për herë të parë gjatë luftës sovjetike në Afganistan dhe u përdor gjithashtu kohët e fundit në Siri.


12:52 - Shumica e trupave ruse janë pozicionuar 30 km larg qendrës së Kievit

Britania ka thënë se shumica e forcave ruse janë rreth 30 km larg nga qendra e Kievit.

Inteligjenca britanike në një përditësim të shtunën ka thënë se Rusia nuk e ka fituar ende kontrollin e hapësirës ajrore mbi Ukrainë.

“Dëmet nga Rusia ka gjasa të jenë të rënda dhe më të mëdha se sa parashikon Kremlini”.


12:40 - Zelensky u lutet qytetarëve: Kthehuni në Ukrainë për ta mbrojtur vendin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka folur edhe një herë dhe ka thënë se shteti i tij do të trimumfojë mbi forcat ruse.

Ai ka thënë se forcat qeveritare ende kontrollojnë Kievin dhe “pikat kyçe rreth qytetit”. Shtoi se forcat ukrainase do të fitojnë dhe kritikoi për dezinformatat.

“Ju lutem, ndaloni ata që po gënjejnë ose që po tentojnë të ju gënjejnë ju apo ne. Duhet ta ndalojmë këtë luftë. Mund të jetojmë në paqë së bashku, globalisht si njerëz”, ka thënë ai.

“Ushtria jonë, garda jonë kombëtare, policia jonë kombëtare, mbrojtja e territorit tonë, shërbimi special, shtetas të Ukrainës, ju lutemi vazhdoni. Ne do të fitojmë. Lavdi Ukrainës”.

Zelenskiy shtoi më tej: “Ne po frenojmë me sukses sulmet e armikut. Ne e dimë se po mbrojmë tokën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Kievi dhe zonat kryesore kontrollohen nga ushtria jonë”.

Zelensky tha se rusët po godasin zonat e banuara, po përpiqen të shkatërrojnë infrastrukturën energjetike dhe “të gjithë duhet të na ndihmojnë që të ndalojmë këtë pushtim”.

Ai tha se pas diskutimeve me liderët e BE-së në ditët e fundit, duke përfshirë mbylljen e Rusisë nga sistemi i pagesave Swift, ai beson se Ukraina duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe qytetarët e saj duhet të kenë të njëjtat të drejta.

“Ne e diskutuam këtë sot me liderët evropianë. Të gjitha pajisjet dhe ndihma ushtarake e mbrojtjes po vijnë në Ukrainë dhe po punohet për shkëputjen e Rusisë nga Sëift. Shpresoj se Hungaria do të detyrohet të mbështesë këtë vendim”.

Ai kërkoi që njerëzit që mund të kthehen në Ukrainë për të luftuar, ta bëjnë këtë: “Në çdo orë dhe vend, kudo ku armiku po vret njerëzit tanë, forcat tona të armatosura po bëjnë gjithçka që munden për të shkatërruar armikun”.

“Ato qytete dhe qyteza që po sulmohen nga ajri po qëndrojnë, ju lumtë. Nëse mund të shkatërroni pushtuesit, ju lutemi bëjeni. Të gjithë ata që mund të kthehen në Ukrainë, ju lutemi bëni, ju lutemi kthehuni”.

“Çdo mik i Ukrainës që dëshiron të bashkohet me Ukrainën për të mbrojtur vendin, ju lutemi ejani, ne do t'ju japim armë. Do të njoftohet shumë shpejt se si mund të bëhet kjo. Kushdo që po mbron Ukrainën është një hero.”

Ai i bëri një lutje tjetër popullit rus për të ndihmuar në ndalimin e luftës duke ushtruar presion mbi Vladimir Putin dhe qeverinë e tij. Protestuesit kundër luftës janë arrestuar ditët e fundit në Moskë dhe Shën Petersberg.

“Shtetasit tuaj po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj kësaj lufte. Ne e dimë se shumë njerëz në Rusi janë të tronditur tani nga brutaliteti i qeverisë ruse, ky është reagimi i duhur, unë jam mirënjohës për këtë reagim.”


12:33 - Sanksionet e BE-së, Franca kap një anije mallrash ruse

Marina franceze ka kapur një anije mallrash në kanalin anglez, me destinacion qytetin rus të Shën Petersburgut.

12:04 - Franca dhe Italia pro shkëputjes së Rusisë nga SWIFT-i

Franca dhe Italia kanë paraqitur qëndrimet e tyre pro shkëputjes së Rusisë nga rrjeti i pagesave financiare SWIFT, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

12: 02 - Ukraina i kërkon Kryqit të Kuq ndihmë për t’i transportuar kufomat ruse, thotë se janë shumë

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Irina Vereshchuk, i ka bërë thirrje Kryqit të Kuq që ta ndihmojë në transportimin e burrave rusë të cilët janë vrarë, thuhet në njoftimin e Forcave të Armatosura ukrainase.

Ajo ka thënë se rusët kanë pësuar humbje të madhe.

“Okupatorët rusë po pësojnë humbje të mëdha. Ka mijëra kufoma të tyre në tokën ukrainase. Kërkoj nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që të ndihmojë me transportin”, ka thënë ajo.


11:56 - Ura që lidh zonat e kontrolluara nga Rusia me Ukrainën kaplohet nga tymi

Nga ora 08:00 e mëngjesit, zhurmat e bombardimeve u dëgjuan rreth qytetit Kherson, Ukrainë, në veri të gadishullit të Krimesë.

Nga ora 11:00, ura, e cila lidh zonat e kontrolluara nga Rusia me Ukrainën, ishte e mbuluar nga tymi i barit rreth saj që kishte marrë flakë.

Granatimet vazhduan përpara dhe mbrapa, dhe një ekip i CNN-it mundi të shihte përmes tymit automjete të blinduara të dukshme në urë që lëviznin drejt anës ukrainase.


11:15 - “Krah për krah me Ukrainën”, Britania çon armë e pajisje

Britania e madhe ka mbajtur një konferencë donatorësh mbrëmë për të koordinuar mbështetjen që do t’i japë Ukrainës, ka thënë Ministria e Mbrojtjes.

Donacionet përfshijnë municion dhe armë anti-tanke. Britania ka ofruar të mbikëqyrë operacionet logjistike për të mbështetur shpërndarjen e donacioneve.

Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë: “Qëndrojmë krah për krah me Ukrainën dhe po ndjekim çdo mundësi për t’i mbështetur ata në mbrojtjen e tyre kundër pushtimit të paprovokuar dhe të paligjshëm të presidentit Putin”.


10: 45 - 198 ukrainas janë vrarë nga e enjtja, tre fëmijë

Ministri ukrainas i Shëndetësisë thotë se 198 persona janë vrarë dhe më shumë se 1000 të tjerë janë plagosur në ofensivën ruse, raporton AP.

Ministri Viktor Lyashko tha të shtunën se kishte tre fëmijë në mesin e të vrarëve. Deklarata e tij e bëri të paqartë nëse viktimat përfshinin si ushtarakë ashtu edhe civilë.

Ai tha se 1,115 persona të tjerë, përfshirë 33 fëmijë, u plagosën në pushtimin rus që filloi të enjten me sulme masive ajrore dhe raketore dhe trupa që hynë në Ukrainë nga veriu, lindja dhe jugu.


10:35 - Pajtimi i Qipros e bën më të mundshëm përjashtimin e Rusisë nga Swift

Përjashtimi i Rusisë jashtë rrjetit të pagesave financiare Swift është bërë më e mundshme pasi Qiproja ra dakord me propozimin.

Ka pasur thirrje që ato të mbyllen nga sistemi që lehtëson pagesat ndërkufitare. Mendohet se kjo do të rrisë presionin mbi bizneset ruse dhe ekonominë e saj.

Lëvizja u njoftua në Twitter nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili ka folur gjithashtu me Italinë, Gjermaninë dhe Belgjikën, ku është vendosur Sëift. Mbështetja e Qipros është e rëndësishme sepse është një destinacion kryesor për investimet ruse.


10:29 - Asnjë i vdekur nga goditja me raketa të ndërtesës në Kiev

Asnjë viktimë nuk është regjistruar si pasojë e goditjes së një ndërtese shumëkatëshe nga raketar ruse, herët të shtunën, ka bërë të ditur një këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.

Anton Herashchenko ka thënë gjithashtu se Rusia po gënjen duke deklaruar se nuk po bombardon infrastrukturën civile.

Sipas këshilltarit, të paktën 40 vende të ngjashme janë goditur nga raketat, duke shtuar se trupat ruse po bombardojnë vendet civile.

Image
Ndërtesa e goditur nga raketat/Foto: AP

10:20 - OKB: Mbi 120,000 ukrainas e kanë lëshuar vendin

OKB-ja thotë se mbi 120,000 refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi që kur Rusia filloi sulmin e saj ndaj vendit fqinj këtë javë.

Duke folur ndërsa trupat ruse po angazhoheshin në betejë me forcat ukrainase në kryeqytetin Kiev të shtunën, zëvendëskomisionerja e lartë e OKB-së për Refugjatët, Kelly Clements, tha në një intervistë për CNN se situata pritej të përkeqësohej.

“Tani shohim mbi 120,000 njerëz që kanë shkuar në të gjitha vendet fqinje”, tha ajo.


10:13 - Zelensky: Besoj se edhe BE-ja e zgjedhë Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka folur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mëngjesin e së shtunës.

Ai ka thënë se Ukraina po lufton me armë në duar për të ardhmen evropiane.

“Ukraina po lufton pushtuesin me armë në duar, duke mbrojtur lirinë e saj dhe të ardhmen evropiane. Diskutova me von der Leyen ndihmën efektive për vendin tonë nga Be-ja në këtë luftë heroike. Unë besoj se edhe BE zgjedh Ukrainën”, shkroi ai.


09:42 - Ministri britanik mohon pretendimet e Rusisë: Rezistenca ukrainase e jashtëzakonshme

Ministri i forcave të armatosura të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia ka dështuar të arrijë objektivat e saj fillestare – dhe luftimet jashtë Kievit ishin të kufizuara në njësitë e forcave speciale ruse.

Duke folur për BBC, James Heappey tha se synimet për të marrë qytetet kryesore të Ukrainës nuk ishin realizuar. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk i besonte pretendimet ruse se kishte marrë qytetin juglindor të Melitopolit.

“Rezistenca ukrainase ndaj avancimit rus duket e jashtëzakonshme. Të gjitha objektivat e Ditës së Parë të Rusisë të Kharkiv, Kherson, Mariupol, Sumy dhe madje edhe Melitopol, të cilat rusët pretendojnë se i kanë marrë, por ne nuk po shohim asgjë për këtë, janë ende të gjitha në duart e Ukrainës”, ka thënë ai.

“Lufta në periferi të Kievit brenda natës, ne e kuptojmë se janë vetëm forcat speciale ruse spetsnaz. Realiteti është se kolonat e blinduara që zbresin nga Bjellorusia dhe veriu për të rrethuar Kievin janë ende shumë larg, sepse ato janë mbajtur nga kjo rezistencë e jashtëzakonshme ukrainase”.


09:35 - Ministri ukrainas: Izolojeni Rusinë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për izolimin e plotë të Rusisë, duke përfshirë embargon ndaj blerjeve të naftës ruse.

“I kërkoj botës: izoloni plotësisht Rusinë, dëboni ambasadorët, ndalojeni naftën, shkatërroni ekonominë e saj”, shkroi Kuleba në Twitter.

Më vete, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për një vendim për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

“Është një moment vendimtar për të mbyllur një herë e përgjithmonë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE”, tha ai në Tëitter.


09: 21 -  Si u bë Volodymyr Zelensky nga komedian në “targetin numër një” të Rusisë


08:50 - Dy fëmijë në mesin e 25 të plagosurve në Kiev

35 persona përfshirë edhe dy fëmijë janë vrarë në luftimet e ashpra gjatë natës në Kiev, sipas kryetarit të qytetit.

Nuk janë dhënë detaje të tjera, por nga ministria e Brendshme është thënë se nga blloku i apartamenteve që u godit, nuk ka viktima.

Gjatë tërë natës është raportuar për luftime në Kiev. Presidentit ukrainas i është ofruar mundësia për t’u evakuuar, por nuk ka pranuar.


08:45 - Japonia po shqyrton vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Bjellorusisë, në përputhje me Shtetet e Bashkuara, për mbështetjen e saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i thanë Reuters të shtunën dy zyrtarë qeveritarë të njohur me këtë çështje.

08:09 - Ndërtesa shumëkatëshe në Kiev goditet nga raketat, nuk dihet për viktima

Një ndërtesë banimi pranë aeroportit të dytë të Kievit është goditur nga një raketë mëngjesin e së shtunës, me pamjet nga vendi i ngjarjes që tregojnë një goditje të madhe rreth dhjetë kate më lart.

Muret e jashtme të disa njësive të apartamenteve duken të shkatërruara tërësisht, derisa tymi nuk ndalet.

Shërbimet e urgjencës janë në vendngjarje, por shkalla e viktimave nuk dihet, ka thënë kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko.

Në një postim në Twitter të shtunën në mëngjes, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ndau një foto të ndërtesës së dëmtuar.

"Kiev, qyteti ynë i mrekullueshëm dhe paqësor, i mbijetoi një nate tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketat”, ka shkruar ai.

"Unë i kërkoj botës: izoloni plotësisht Rusinë, dëboni ambasadorët, vini embargon e naftës, shkatërroni ekonominë e saj. Ndaloni kriminelët rusë të luftës!", ka shtuar ai.

Raportohet se dy raketa kanë goditur qytetin e Kievit. 

07:43 - Raportohet se janë lëshuar raketa nga Deti i Zi në Ukrainë

Është raportuar mëngjesin e së shtunës se raketat po lëshohen në Ukrainë nga Deti i Zi, raporton BBC.

Sulmet ajrore janë raportuar gjithashtu në një numër zonash, në një përshkallëzim të dukshëm të dhunës.

Nuk ka pasur informacione të tjera për të konfirmuar sulmin. Kievi gjatë tërë natës ka qenë nën sulm, duke çuar në luftime në rrugë.


07:28 - Zelensky: Armë e pajisje ushtarake po vijnë në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ka konfirmuar nga presidenti francez se armë dhe pajisje ushtarake po dërgohen në Ukrainë.

Ai ndihmën me shtetet e tjera po e quan koalicioni “anti-luftë”.

“Një ditë e re në vijën e frontit diplomatik filloi me një bisedë me presidentin francez. Armë dhe pajisje nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë. Koalicioni anti-luftë po funksionin”, shkroi ai mëngjesin e së shtunës.

Reuters raportoi se presidenti Joe Biden ka udhëzuar Departamentin e Shtetit të SHBA-së që të lëshojë 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa ajo përpiqet të zmbrapsë një pushtim rus. Në një memorandum për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Biden urdhëroi që 350 milionë dollarë të akorduara përmes Aktit të Ndihmës së Jashtme të caktoheshin për mbrojtjen e Ukrainës.


07:13 - Zelensky refuzon ofertën e SHBA-së, nuk do që të ikë nga vendi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë një ofertë të Washingtonit për të ndihmuar në evakuimin e tij nga Ukraina, thonë mediat amerikane.

Zelensky tha se "lufta është këtu. Unë kam nevojë për municion, jo një udhëtim", raportoi Associated Press, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës.

Washington Post kishte cituar gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të cilët thanë se qeveria amerikane ishte e përgatitur për të ndihmuar Zelenskyn.

Zelensky është vlerësuar gjerësisht në mediat sociale për reagimin e tij ndaj pushtimit rus. Ai kishte mbajtur më herët një fjalim emocionues në të cilin u zotua se do të vazhdojë të luftojë, duke thënë: "Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën".

Ai kishte postuar gjithashtu një video të vetë-xhiruar herët të shtunën, duke treguar atë dhe ndihmësit e tij kryesorë në kryeqytet, duke hedhur poshtë raportet se ai kishte ikur nga Kievi. 

“Ka shumë informacione të rreme online se unë i kam thënë ushtrisë sonë që t’i ulë armët dhe se po ndodhë evakuimi. Unë jam këtu. Nuk do t’i ulim armët. Ne do ta mbrojmë shtetin tonë”, ka thënë ai në video-mesazhin e së shtunës.

Mëngjesin e së shtunës janë raportuar luftime intensive në Kiev. Sipas një njoftimi nga ushtria ukrainase, “po vazhdojnë luftime të rënda” në zonën Vasylkiv.

Shtoi se “lufta aktive” po zhvillohet tashmë në kryeqytet. Qeveria u tha banorëve që të qëndronin në strehimore.

Nëpër rrugë po përshkruajnë goditje të forta dhe të shtëna armësh shumë afër qendrës së Kievit.


07: 10 - Luftime në rrugët e Kievit gjatë gjithë natës

Trupat ruse sulmuan kryeqytetin e Ukrainës herët të shtunën, dhe luftimet në rrugë shpërthyen ndërsa zyrtarët e qytetit u kërkuan banorëve të strehoheshin. Presidenti i vendit refuzoi një ofertë amerikane për t'u evakuuar, duke këmbëngulur se ai do të qëndronte. "Lufta është këtu", tha ai, raporton AP. 

Përleshjet pasuan dy ditë luftime që rezultuan në qindra viktima dhe goditën ura, shkolla dhe ndërtesa banimi. Zyrtarët amerikanë besojnë se presidenti rus Vladimir Putin është i vendosur të rrëzojë qeverinë e Ukrainës dhe ta zëvendësojë atë me një regjim të tijin.

Sulmi përfaqësoi përpjekjen më të guximshme të Putinit për të rivizatuar hartën e botës dhe për të ringjallur ndikimin e Moskës në epokën e Luftës së Ftohtë. Ai shkaktoi përpjekje të reja ndërkombëtare për t'i dhënë fund pushtimit, duke përfshirë sanksione të drejtpërdrejta ndaj Putinit.

Ndërsa vendi i tij u përball me shpërthime dhe të shtëna armësh, dhe ndërsa fati i Kievit varej në balancë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky bëri thirrje për një armëpushim dhe paralajmëroi në një deklaratë të zymtë se shumë qytete ishin nën sulm.

Edhe Shtrenjtimi i naftës “zbut” sulmet e thella të Ukrainës në Rusi Botë 2 muaj më parë Shtrenjtimi i naftës “zbut” sulmet e thella të Ukrainës në Rusi

"Këtë natë ne duhet të qëndrojmë të patundur", tha ai. “Fati i Ukrainës po vendoset pikërisht tani”.

Zelenskyt iu kërkua të evakuonte Kievin me urdhër të qeverisë amerikane, por e hodhi poshtë ofertën, sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës. Zyrtari citoi presidentin të thoshte se "lufta është këtu" dhe se atij i duheshin municion antitank, por "jo një udhëtim".