Botë

Lufta i ka përçarë familjarët e fshatit ukrainas në kufi me Rusinë e Bjellorusinë

Fshati ukrainas Senkivka, ndodhet në trekëndëshin kufitar Ukrainë, Rusi dhe Bjellorusi.

Dikur vendi i festivaleve ku shënohej miqësia midis tri vendeve, tani është një vijë e parë e luftës dhe banorët e saj tregojnë për familje të ndara përtej kufijve që jetojnë në frikë.

Forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës në fillim të prillit, por bombardimet me mortaja dhe sulmet me granata vazhdojnë në Senkivka. Para pushtimit, fshati ishte shtëpia e më shumë se 200 njerëzve, shkruan BBC-ja të martën.

Tani ka vetëm pak njerëz që kanë mbetur aty.

Shtëpia e Nina Malenok është në anë të një rruge që trupat ruse e përdorën kur filluan pushtimin e tyre në Ukrainë. Është rruga që çon në qytetin verior Chernihiv dhe në kryeqytetin, Kiev.

Në oborrin e shtëpisë së Ninës ka mbetur bishti i një rakete të lëshuar në orët e para të 24 shkurtit - ditën kur filloi lufta.

"Dëgjova që ra në oborrin tim. Kudo ishte zjarr dhe tym. Mu ndërpre energjia elektrike. U hodha nga shtrati dhe dola me vrap nga shtëpia", ka thënë Malenok.

Image

Në ditët që pasuan, e fshehur në një bodrum, ajo dëgjoi aeroplanët që fluturonin sipër dhe automjetet e rënda që hynin brenda.

Më 8 mars, gazetarët rusë kanë shkuar në shtëpinë e saj të shoqëruar nga ushtarë rusë.

"Ata po filmonin gjithçka këtu, të gjitha predhat. Më thanë se Ukraina po e sulmonte veten. Më pas ata ia dërguan numrat e shtypur në raketë dikujt në Rusi dhe morën një përgjigje menjëherë se ishte një prej raketave të tyre”, ka thënë Malenok.

Shumë raketa të tilla janë të shpërndara në të gjithë fshatin. Ekspertët që kanë parë imazhet e raketave i kanë thënë BBC-së, se ato mund të përmbanin bomba thërrmuese, të ndaluara në pjesë të tjera të botës për dëmet që shkaktojnë. Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë akuzuar për përdorimin e tyre.

Pavarësisht tërheqjes së trupave ruse nga fshati, Nina thotë se nuk ndihet e sigurt.

“Kam frikë të jetoj kështu, por po qëndroj në shtëpi, ku të shkoj?”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, për banoren tjetër të fshatit, Lidiya Bilousova, kjo është herë e dytë në jetën e saj që sheh tanke para derës së shtëpisë.

E lindur në vitin 1930, ajo kujton Luftën e Dytë Botërore dhe ushtarët gjermanë duke arritur në fshatin e saj.

“Jemi paralajmëruar nga ushtarët tanë që ata do të vinin. Prandaj jemi fshehur, me çantat e mbushura me bukë. Përpara mund të ikja, mirëpo tani jam e moshuar, nuk mundem më”, ka thënë Bilousova.

Image

Lidiya Bilousova është 91 vjeç

Përpara pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ishte planifikuar hapja e pikës kufitare në këtë trekëndësh kufitar dhe ishte menduar edhe një festë për këtë, për të konfirmuar unitetin në rajonin ku ende qëndron një monument kushtuar miqësisë mes tyre, i quajtur "Tri Motrat".

“Ishte një festival i bukur. Ne, rusët dhe bjellorusët do të festonim së bashku. Njerëz të rëndësishëm nga të tri shtetet do të vinin”, ka thënë Bilousova, bashkëshorti i të cilës ishte bjellorus.

“Tri shtetet kanë qenë mike për vite me radhë, kemi vizituar njëri-tjetrin, jemi martuar me njëri-tjetrin. Tani ka marrë fund gjithçka”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, lufta i ka ndarë familjarët mes vete në këtë fshat.

“Familjet dhe shoqëritë të shpërndara përtej kufijve janë ndarë, si në mendime ashtu edhe në distancë fizike. Pas vitit 2014, kalimi i kufirit është bërë më i vështirë për njerëzit në të tri anët. Tani, kalimi është i pamundur”, ka thënë Bilousova.

Ndërkohë, vëllezërit, motra dhe nipërit e mbesat e Mykhaylo Dudkos nga fshati Senkivka, jetojnë në Rusi. Ai thotë se nuk i ka parë familjarët e tij për vite me radhë.

Image

Mykhaylo Dudko (djathtas), është një nga të paktët e mbetur në fshatin Senkivka
“Motra më ka thënë se jemi ne ata që e kemi nisur luftën. Mirëpo ne nuk e kemi pasur atë qëllim. Është Rusia ajo që na ka pushtuar. Do të doja që familja ime të vepronte me kokë, ta shikonte situatën në mënyrë më të pavarur”, ka thënë ai.

Nina Malenok thotë se ajo nuk flet më me vëllain e saj që jeton në Bjellorusi, pasi ai i ka thënë se Amerika e ka sulmuar Ukrainën dhe jo Rusia.

“Ai thotë se Amerika na ka sulmuar dhe ju po e fajësoni Rusinë. Ai është vetëm pak kilometra larg kufirit dhe nuk e beson atë që po ndodh vërtetë. E kam larguar nga jeta vetëm për këtë shkak”, ka thënë Malenok.

Përktheu: Flutura Gashi-Mehmeti

Image