Botë

‘Lufta acaruese’ e Izraelit kundër fëmijëve palestinezë

Përderisa beteja në mes Palestinës dhe Izraelit vazhdon, fëmijët po arrestohen pa dallim.

Ata thyen derën para mëngjesit dhe rreth 30 ushtarë izraelitë shkatërruan shtëpinë.

Dhe cila është arsyeja e kësaj bastisjeje? Ammari, 12 vjeç, i cili u akuzua që kishte marrë pjesë në një protestë kundër pastrimit të tokës në rajonin Naqab. Por, nëna e tij thotë se ajo dhe familja ende nuk e dinë pse e arrestuan, sepse djali ishte gjatë gjithë kohës në shtëpi, shkruan “Al-Jazeera”.

“Nuk e dimë saktësisht pse e arrestuan. Në orën 5:30 të mëngjesit, 30 ushtarë izraelitë shkelmuan derën më këmbë. U frikësuam shumë, dhe ata e kërkonin Ammarin i cili po flinte”, thotë nëna e Ammarit.

“Ai është 12 vjeç, nuk mundet të shkojë në shkollë, pasi që është në arrest shtëpiak. Autoritetet izraelite ia ndaluan ndjekjen e shkollës për 10 ditë që nga dje. U shokova kur na informuan rreth kësaj. Iu bërtita atyre: ‘Po çfarë mund t’ju bëjë një 12-vjeçar?’ Isha shumë e frikësuar se do ta rrihnin apo torturonin në burg, edhe Ammari ishte i frikësuar dhe qante”, shtoi ajo për “Al-Jazeeran”.

Pasojat e arrestimit

Ammari po mbahej në arrest dhe eventualisht u dërgua në shtëpi. Nuk ka folur as edhe një fjalë që kur është kthyer dhe familja e tij është e shqetësuar se çfarë i ka ndodhur kur po mbahej nën arrest.

Për ditë të tëra protestat në shkretëtirën Naqab janë rritur, ndërsa beduinët palestinezë luftojnë për ekzistencë dhe i rezistojnë një projekti agresiv të pyllëzimit të mbikëqyrur nga Fondi Kombëtar Hebre (JNF), organizatë sioniste.

Për dekada JNF-ja ka mbjellë pisha jovendase në Palestinë me qëllimin kryesor të zgjerimt të programit kolonizues të Izraelit. Ky projekt vlen 48 milionë dollarë dhe ka mbështetjen e plotë të Qeverisë izraelite.

Organizata ka në plan shkatërrimin e Beer al-Sabe (Be’er Sheva) në shkretëtirën Naqab, më konkretisht fshatin Sa’wa dhe sipas Marwan Abu Friehut, hulumtues terreni dhe koordinator për Adalah, qendër ligjore për të drejtat e arabëve në Izrael, policia izraelite ka filluar një set arrestimesh dhe ka mbajtur rreth 150 njerëz, ku 40% e tyre ligjërisht janë të mitur. Abu Frieh thotë që së paku 16 ende po mbahen.

“Asnjë ndjenjë frike”

Image

Ammari 12 vjeç nuk po shkon në shkollë, sepse është dënuar me arrest shtëpiak

Israeli nuk e njeh të drejtën e beduinëve palestinezë për tokën, pavarësisht faktit se ata mbajnë tapitë para krijimit të shtetit të Izraelit dhe prania e tyre në këtë tokë është regjistruar për mijëra vjet.

Babai i nxënëses Jenin, 16-vjeçare, nuk ndodhej në shtëpi kur vajza e tij u arrestua. Ndërsa ishte në punë, telefoni i tij nuk ndalonte së pushuari nga fotot që i kishin dërguar, ku shihej Jenin-a duke u arrestuar nga forcat izraelite.

Edhe pse i shqetësuar se çka mund t’i ndodhte vajzës në arrest, gjithashtu kishte një ndjenjë krenarie që ajo po luftonte për vendin e saj.

“Mora leje nga puna dhe shkova ta vizitoja vajzën e cila ishte arrestuar për ca orë dhe pastaj u dërgua në shtëpi”, thotë ai. “E pyeta se si ishte arrestuar dhe si ndihej kur ishte nën arrest, ajo ishte krenare me veten dhe nuk kishte as edhe një ndjenjë frike”, ka shtuar ai për “Al-Jazeeran”.

Image

Jenin ka protestuar bashkë shokët e shoqet së shkollës pa kryer ndonjë akt të dhunshëm

Ai thotë që jeta është e vështirë në Naqab, pasi që izraelitët nuk i lejojnë të ndërtojnë në tokat e tyre ose t’ua njohin pronësinë, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura nga beduinët dhe fushatave ndërkombëtare për të njohur të drejtën e beduinëve për tokën dhe t'i lënë ata të qetë, shkruan “Al-Jazeera”.

Precedentët ligjorë

Forcat izraelite mbështeten në legjislacionin e miratuar në Knesset dhe precedentët ligjorë që përbëjnë atë ligj, që e lejon policinë të arrestojë të mitur. Organizata e Marvanit në Adalah vepron si avokat mbrojtës për të arrestuarit palestinezë, por e gjejnë veten në vështirësi, duke përfshirë punën me dokumentet që u janë dhënë.

Kushtet për fëmijët janë të tmerrshme përderisa janë nën arrest, ku shumë prej tyre infektohen me COVID-19 dhe përballen me abuzime fizike dhe psikologjike.

“Edhe pse liroheshin, ata veçse kanë vuajtur nga eksperienca e hidhur për ditë të tëra, javë apo edhe më shumë, kjo e shtyp moralin e tyre dhe i lë në gjendje të tmerrshme psikologjike pas gjithë atyre vuajtjeve gjatë arrestit”, thotë avokati Shahfa Ibn Bari, i cili mbron të miturit palestinezë që arrestohen gjatë protestave.

“Fëmijët abuzohen gjatë arrestit dhe ne i kemi parë disa fotografi ku shihen se këta fëmijë po mbyten”, thotë Marwan për “Al-JAzeeran”. “Gjatë hetimeve ne gjithashtu mësuam se ata kërcënohen për të ardhmen e tyre dhe duket sikur ata po i frikësojnë fëmijët që pastaj këta t’u tregojnë fëmijëve të tjerë se çfarë u ka ndodhur atyre, në mënyrë që të përhapin frikë”.

Taktika e frikësimit

Kjo taktikë përdoret për t’u siguruar që të rinjtë si Jenin-a nuk do t’iu bashkohen më protestave. Jenina thotë babai i saj shkoi të qëndronte përkrah shokëve të shkollës dhe derisa ajo ishte atje nuk kreu asnjë akt të dhunshëm.

“Ajo mendonte qe po bënte një punë të mrekullueshme për njerëzit e saj dhe kauzat e tyre pasi që forcat izraelite sulmuan fqinjët tanë dhe shumë kolegë të saj ndodheshin atje dhe kjo ishte ajo që e shtyu atë të shkonte atje”, thekson ai për “Al-Jazeeran”.

Policia e përdor ligjin për avantazh të vetin. Edhe pse fëmijët deri në moshën 14 vjeç duhen të dalin para gjykatës brenda 12 orëve të arrestimit të tyre, policia kërkon vazhdimisht për zgjatjen e paraburgimeve, të cilat zakonisht aprovohen.

“Ja një rast konkret, një të mituri 14-vjeçar që u lirua para ca ditëve, paraburgimi i tij ishte zgjatur gjashtë herë. Gjashtë herë gjykata kërkoi për zgjatjen e paraburgimit të tij dhe ankesa u bë në Gjykatën Qendrore, që e dërgoi dosjen në Gjykatën Civile, e që e zgjati paraburgimin e tij”, shpjegon Marwani.

Shkeljet procedurale

“Gjatë lirimit të tij sot, policia ndaloi zbatimin e vendimit për lirim dhe kur bëmë ankesë për këtë vendim, policia u tërhoq dhe ai u lirua”.

Shahda thotë që avokatët e kanë shumë të vështirë për t’i mbrojtur të miturit, pasi që shërbimet inteligjente do të ndërhyjnë dhe nuk do të pranojnë asnjë vendim rreth lirimit të fëmijëve, për arsye të sigurisë kombëtare dhe veprat e tyre të supozuara riklasifikohen si të tilla.

“Shërbimet inteligjente kanë autoritet për t’i ndaluar fëmijët të mos takohen me avokatë, t’i mbajnë ata për ditë të tëra, t’i sjellin në gjykatë pa u takuar paraprakisht me avokatin dhe mund t’i detyrojnë të mos flasin me botën e jashtme”, thotë ai.

“Arrestimi i fëmijëve është luftë acaruese ndaj fëmijëve palestinezë në gjykata dhe në polici që i arreston fëmijët dhe ne gjithnjë ankohemi. Ne nuk mundemi që gjithmonë ta bindim gjykatën. Nganjëherë gjykata izraelite nuk i pranon ankesat tona”.

Nëna e Ammarit, e brengosur rreth gjendjes psikologjike të tij, thotë e dëshpëruar që autoritetet izraelite nuk pranojnë t’i shohin të miturit palestinezë si fëmijë që janë.

“Një fëmijë mbetet fëmijë, por okupatorët nuk i shohin si të tillë. Më së shumti më thyhet zemra kur e shoh vështrimin në sytë e fëmijëve kur okupatorët i shkatërrojnë shtëpitë e tyre”, ka theksuar ajo.

Përktheu: Shukrie Sadiku