Çifti izraelit që u arrestua nga Turqia nën dyshimet për spiunazh, është liruar të enjten. Mordi dhe Natalie Oknin janë kthyer në shtëpinë e tyre në Izrael dhe janë pritur nga të afërmit e tyre.
Avokati që përfaqësoi çiftin në Turqi, ka thënë se dyshja më shumë ishte shqetësuar për gjendjen e fëmijëve sesa për veten. Çifti izraelit u arrestua në Stamboll gjatë javës së kaluar kur shkrepën fotografi të rezidencës së presidentit Receep Tayiip Erdogan.
Së bashku me dy izraelitët ishte arrestuar edhe një shtetas turk. Policia i arrestoi pasi një punëtor raportoi se të dy kishin shkrepur fotografi të rezidencës së Erdoganit teksa po drekonin në një restorant të afërt.
Që nga java e kaluar, çifti izraelit ka pritur seancën gjyqësore nën akuzat për spiunazh politik dhe ushtarak. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, pas arrestimit të tyre, mohoi se çifti punonte për ndonjë agjenci izraelite. Siç është raportuar, ata ndodheshin në Stamboll për pushime.