Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lindja e Mesme në prag të katastrofës

Një burrë i lënduar nga shpërthimi i pajisjeve që mbanin anëtarët e Hezbollahut. Foto nga Spitali i Syve në Bejrut. Foto: Associated Press

Një burrë i lënduar nga shpërthimi i pajisjeve që mbanin anëtarët e Hezbollahut. Foto nga Spitali i Syve në Bejrut

Foto: Associated Press

Bombardimi izraelit në Bejrut i ka thelluar tensionet midis Izraelit e Hezbollahut, dy armiq të kahershëm. Një ditë pas këtij sulmi, numri i viktimave është rritur në 37. Si pasojë e zhvillimeve, autoritetet libaneze e kanë vlerësuar si në rrezik gjendjen e sigurisë në vend. E Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë alarmin se rajoni ndodhet në prag të një katastrofe

Ka shkuar në 37 numri i të vdekurve në kryeqytetin libanez, Bejrut, si pasojë e sulmit të rrallë ajror që ushtria izraelite e ndërmori të premten. Në mesin e të vdekurve, sipas autoriteteve libaneze, janë tre fëmijë dhe shtatë gra, teksa të paktën 68 persona janë të lënduar.

Ministri i Brendshëm i Libanit, Bassam Mawlawi, ka thënë se ngjarja përbën një situatë të rrezikshme për sigurinë e Libanit.

“Situata e sigurisë sot është e rrezikshme dhe kritike, andaj është e nevojshme që të gjitha agjencitë e sigurisë në Liban t’i monitorojnë nga afër operacionet izraelite që po ndodhin rreth Libanit, operacionet që po ndodhin rreth Bejrutit, e të cilat përkojnë me operacionet e mëdha në Libanin jugor. Ajo që kërkohet nga forcat e sigurisë dhe ato ushtarake është që të monitorojnë nga afër çdo lëvizje të dyshimtë”, ka thënë Mawlawi.

Mes viktimave në sulmin e së premtes janë Ibrahim Akil, komandanti kryesor i Hezbollahut, i cili ishte në krye të Forcave elitare të grupit Radwan, si dhe dhjetëra anëtarë të grupit militant që u patën mbledhur në bodrumin e objektit të goditur me raketë.

Në një përditësim të ushtrisë izraelite të shtunën thuhet se në sulmin e së premtes janë vrarë 15 anëtarë të Hezbollahut. Anëtarët ishin takuar në Dahieh, bastion i njohur i grupit të mbështetur nga Irani në kryeqytetin libanez, sipas Forcave Izraelite të Mbrojtjes. 

Edhe Tensione të larta në kufirin izraelito-libanez pas vrasjes së 11 personave Botë Tensione të larta në kufirin izraelito-libanez pas vrasjes së 11 personave

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar të premten për thellimin e armiqësive në të gjithë rajonin dhe ka kërkuar ulje të menjëhershme të tensioneve nga të gjitha palët. Ka alarmuar se rajoni është në prag të katastrofës.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarriq u ka thënë gazetarëve se janë shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e shtuar dhe ka bërë thirrje për përmbajtje maksimale.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve për depërshkallëzim të menjëhershëm. Gjithashtu u bëjmë thirrje që të kthehen menjëherë te ndërprerja e armiqësive dhe ta zbatojnë plotësisht Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit. Rajoni është në prag të një katastrofe. Të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen te gjetja e një zgjidhjeje diplomatike”, ka deklaruar Dujarriq. 

Ai ka thënë se Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) po vazhdojnë mandatin për të ndihmuar në shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm, si dhe për të mbështetur qasjen humanitare në Libanin jugor. 

E lideri suprem i Iranit, Ajetollahu Ali Khamenei, e ka akuzuar Izraeli se po kryen krime kundër fëmijëve dhe jo luftëtarëve të Hezbollahut.

Edhe Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë sulmet pavarësisht armëpushimit Botë Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë sulmet pavarësisht armëpushimit

Ai ka thënë se në pamundësi për t’i lënduar luftëtarët e vërtetë në Palestinë, Izraeli po e shfryn zemërimin mbi fëmijët e vegjël.

“Nuk po lufton luftëtarët, por njerëzit e zakonshëm. Në pamundësi për të lënduar luftëtarët e vërtetë në Palestinë, ata po e shfryjnë zemërimin e tyre keqdashës mbi fëmijët e vegjël, mbi pacientët e spitaleve dhe mbi shkollat e mbushura me fëmijë të vegjël”, është shprehur ai.

Sulmi vdekjeprurës i së premtes ndodhi disa orë pasi Hezbollahu i nisi bombardimet më intensive kundër Izraelit, duke e shënjestruar veriun e shtetit me rreth 140 raketa. 

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani dhe Izraeli, ka këmbyer sulme në kufirin Izrael - Liban dhe në Siri qëkur grupi militant më 8 shtator 2023 – në shenjë solidariteti për palestinezët për shkak të nisjes së luftës në Gazë – e sulmoi Izraelin. Aktualisht po konsiderohet se tensionet janë në nivelin më të lartë që nga viti 2006.

Edhe Tetë të vrarë në Liban, një ditë pasi Izraeli dhe Hezbollahu u pajtuan për depërshkallëzim Botë Tetë të vrarë në Liban, një ditë pasi Izraeli dhe Hezbollahu u pajtuan për depërshkallëzim