Ligjvënësit rusë kanë propozuar një projektligj që mund t’u japë presidentëve imunitet të përjetshëm nga ndjekjet penale edhe pas mandatit të tyre. Ky projektligj mund t’ia mundësonte presidentit Vladimir Putin imunitetin e përjetshëm edhe pas largimit të tij nga “froni”.
Ligji aktual rus, si shumica e ligjeve në mbarë botën, thotë se presidenti aktual nuk mund të ndiqet penalisht për kryerjen e ndonjë vepre penale derisa mban postin e presidentit.
“Pas skadimit të mandatit të tij, personi i tillë ka të drejtë të llogarisë në nivelin e mbrojtjes dhe garancitë ligjore që nuk është më e ulët se ato që u ofrohen atë, ndërsa ai ushtron kompetencat presidenciale”, ka thënë Andrey Klishas, bashkëkryetari i grupit që paraqiti projektligjin, shkruan Reuters.
“Ky urdhër vepron si një garanci kundër persekutimit të pajustifikuar të ish-kreut të shtetit dhe njeh rëndësinë e rolit të tij në sistemin e përgjithshëm të autoritetit publik”, ka thënë ai tutje.
Ky projektligj duhet të kalojë në tre lexime në dhomën e parlamentit rus, që njihet si dhoma e ulët, më pas një rishikim në dhomën e sipërme dhe të dekretohet nga presidenti Vladimir Putin.
Ndër dekretet e para që Putini nënshkroi kur erdhi për herë të parë në zyrë në 2000 ishte një dokument që i jep imunitet ish-presidentit Boris Jeltsinit, i cili dha dorëheqje dhe zgjodhi Putinin si pasardhësin e tij.