Ligjvënësit amerikanë kanë nominuar për Çmimin Nobel të Paqes lëvizjen pro-demokracisë në Hong-Kong.
Në arsyetimin e nominimit, ligjvënësit amerikanë kanë thënë se pjesëmarrësit janë frymëzim global përballë vështirësive të krijuara nga Pekini.
Në letrën e adresuar te Komiteti i Nobelit, nëntë ligjvënës nga dy partitë amerikane kanë vlerësuar lart daljen e më se dy milionë qytetarëve nëpër rrugë qershorin e 2019-s.
Për shkak të popullsisë prej 7.5 milionë banorëve, protesta e 19 qershorit në Hong-Kong, sipas ligjvënësve amerikanë, vlerësohet si një prej më të mëdhave në histori.
Në letrën e senatorit republikan, Marco Rubio, dhe përfaqësuesit demokrat, Jim McGovern, kryetarë të komisionit të Kongresit në lidhje me Kinën, thuhet se çmimi do t’i nderonte protestuesit për guximin dhe vendosmërinë e tyre që frymëzuan botën.
Edhe
Burgimi i 45 demokratëve të Hong Kongut nxit kritika
Ligjvënësit amerikanë kanë thënë po ashtu se gjatë muajve të ardhshëm shumë aktivistë pro-demokracisë në Hong-Kong pritet që të arrestohen nga pushteti për shprehjen e qëndrimeve politike.
Gjatë vitit 2020, Pekini miratoi Ligjin e Sigurisë, që dënon të gjithë ata që bëjnë thirrje për pavarësisë e Hong-Kongut gjysmëautonom.