Botë

Lideri i puçit në Sudan: Ushtria mori pushtetin për të parandaluar luftën civile

Lideri prapa puçit në Sudan, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, ka thënë se ushtria ka marrë kontrollin e vendit të hënën për të parandaluar “luftën civile”, raporton BBC.

Ai ka shtuar se kryeministri Abdalla Hamdok është duke u mbnajtur në shtëpinë e gjeneralit “për sigurinë e tij” dhe do të lejohet së shpejti të shkojë në shtëpi.

Protestat kanë vazhduar në kryeqendër Khartoum, ku rrugët, urat e shitoret janë mbyllur. Lidhjet telefonike dhe të internetit po ashtu janë prishur.

Së paku dhjetë persona raportohet se janë vrarë gjatë trazirave.

“Rreziqet që kemi parë javën e kaluar kanë mundur të çonin te lufta civile. Kryeministri ishte në shtëpi, por ne u frikësuam se do të lëndohet dhe tash ai është me mua në shtëpinë time. Isha me të mbrëmë. Dhe ai do të kthehet në shtëpi kur të mbarojë kriza dhe të largohen rreziqet”, ka thënë gjenerali në konferencë për media.